“E di mirë që gratë nuk duhet të shkruajnë, e megjithatë unë shkruaj”, vargu sfidues i poetes së romantizmit francez, Marceline Desbordes-Valmore

Kjo frymë sfiduese dhe e brishtë njëkohësisht përshkon vargjet e poetes franceze Marceline Desbordes-Valmore (20 qershor 1786, Douai – 23 korrik 1859, Paris), një zë që lindi në kohë kur letërsia nuk e njihte dot plotësisht autorësinë e grave krijuese. Edhe pse një nga figurat më të fuqishme të romantizmit francez, ajo shpesh u mënjanua, u rendit në prapavijë, jo për mungesë talenti, por sepse guxoi të shkruante për atë që konsiderohej “territor i jashtëpranuar”, familjen, amësinë, dhimbjen e humbjes, forcën e brishtë të pavarësisë femërore.

Për shumë bashkëkohës, këto ishin tema “të vogla”, “femërore”, tema që duhej t'i mbylleshin në sirtar, jo t’i ktheheshin në poezi. Por pikërisht aty, në atë hapësirë të nënvlerësuar, Marceline krijoi një univers të ri emocional dhe estetik, duke i dhënë zë një ndjeshmërie që letërsia mashkullore e kohës nuk e njihte. Sot ajo rishfaqet si një figurë thelbësore, një pararendëse që e shkroi veten përkundër kohës së saj, dhe ndikimi i saj në letërsinë franceze jo vetëm vazhdon, por rritet ndërsa kritika moderne e rivlerëson me respekt e habi guximin e një gruaje që shkroi pikërisht sepse nuk duhej të shkruante.

Autorja me prejardhje flamande është e vetmja grua që Paul Verlaine e përfshiu në volumin e tij themeltar Poètes maudits (‘Poetët e mallkuar’), vepër nga e cila rrjedh edhe vetë përkufizimi historik i “poetëve të mallkuar”.

Për të, Verlaine shkruan në antologji: “Ne shpallim, me zë të lartë e të qartë, se Madame Desbordes-Valmore është pa asnjë dyshim gruaja e vetme e gjeniut dhe e talentit të këtij shekulli dhe e të gjithë shekujve. Ajo ka përdorur me shumë fat ritme të pazakonta, mes të cilave edhe vargun me njëmbëdhjetë rrokje. Ka një varg të sajin që më duket më i jashtëzakonshmi i gjuhës sonë, ose i çdo gjuhe njerëzore: sembra la mia gioia in cima a una canna (“mbolla gëzimin tim në majë të një thupi”).”

Pasi ushtroi me sukses profesionin e aktores dhe këngëtares në teatrot franceze, Marceline, në moshën 33-vjeçare, iu dorëzua plotësisht thirrjes së saj poetike, duke botuar prej asaj kohe pesë përmbledhje lirike, si edhe disa prosimetria për fëmijë. Së shpejti ajo do të merrte edhe vlerësime akademike prestigjioze dhe, madje, një pension nga Mbreti Filip Luigji I.

Koleget dhe kolegët më të shquar të kohës e lëvdonin me njëzëri cilësinë e strofave dhe origjinalitetin e ritmeve të saj, duke e renditur këtë autodidakte të thjeshtë, me jetë të trazuar, por themeltare për Romantizmin dhe pararendëse të artit të Rimbaud-it, në panteonin e letërsisë franceze të të gjitha kohërave.

“Përqasje të buta tingujsh të ëmbël dhe harmonikë që evokojnë jetën e njerëzve të thjeshtë”, thoshte Honoré de Balzac për poezinë e saj.

Dhe, në prill të vitit 1834, ai shtonte: “Marceline ka ruajtur kujtimin e një zemre që ndien thellësisht jehonën, ajo dhe fjalët e saj, ajo dhe poezitë e saj, sepse ne jemi nga i njëjti vend, Zonja ime — vendi i lotëve dhe i mjerimit.”

Edhe Charles Baudelaire pohonte me galanteri: “Asnjë poet nuk ka qenë më natyral, asnjë më pak artificial. Znj. Desbordes-Valmore ishte grua, ishte gjithnjë grua dhe nuk ishte gjë tjetër veçse grua; por ajo kishte një shkallë të jashtëzakonshme shprehjeje poetike, të ngopur me të gjitha bukuritë natyrore të femrës.”

Miku i saj Victor Hugo, në vitin 1821, shënonte: “Madame Desbordes-Valmore ka pasur vetëm gjysmën e triumfit që meriton një talent si i saj.”

Ndërsa në kohën moderne, Maria Luisa Spaziani e vlerësonte si pararendëse të një poetike inovative:

“Marceline e kishte pjellë tashmë imagjinatën e Baudelaire-it, kur zbuloi, ajo vetë, të famshmet korrespondenca, duke guxuar, kundër çdo logjike, të thoshte se jeshilja është acidike, se heshtja është e gjelbër, se bluja është e ngrohtë. Ndjeshmëria e saj e re hap një rrugë jashtëzakonisht të rëndësishme, që do të çojë deri te Proust e më tej.”

Jeta e saj u shënjua nga sprova të rënda. Biznesi i të atit u rrëzua gjatë Revolucionit Francez dhe në vitin 1801, Marceline u nis me nënën drejt Guadelupës, me shpresën për të gjetur siguri ekonomike tek një kushëri i largët. Por, tragjikisht, ai u vra në një revoltë skllevërish përpara se ato të mbërrinin; pasuria u zhduk dhe nëna e saj vdiq shpejt prej etheve të verdha. E mbetur vetëm, Marceline arriti të kthehej në Francë dhe, që në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç, nisi të sigurojë jetesën si aktore dhe këngëtare. Ajo performoi në Douai, Rouen, në Opéra-Comique të Parisit, në Théâtre de la Monnaie të Brukselit dhe, përtej vështirësive, përjetoi edhe humbjen e dy fëmijëve të lindur jashtë martese.

Në vitin 1817 u martua me aktorin Prosper Lanchantin-Valmore, me të cilin pati tre fëmijë, por vetëm njëri arriti të mbijetonte. Dy vjet më pas, në 1819, botoi përmbledhjen e saj të parë poetike Élégies, Marie et Romances. Pas suksesit të hershëm, ajo hoqi dorë nga teatri dhe iu përkushtua shkrimit. Vitet që pasuan u shoqëruan me lëvizje të vazhdueshme dhe pasiguri financiare, të lidhura me karrierën e paqëndrueshme të bashkëshortit. Por në vitet 1830 emri i saj filloi të fitonte jehonë, duke hyrë në periudhën e pjekurisë krijuese, prej nga dolën edhe veprat e saj më të rëndësishme.

Në fund të viteve 1850, e goditur nga kanceri, ajo pushoi së shkruari. Dy vitet e fundit të jetës i kaloi duke redaktuar përmbledhjen Poésies inédites, të cilën nuk arriti ta përfundonte. Vdiq në moshën 73-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi letrare që sot shihet si një ndër më të ndjeshmet, më autentiket dhe më ndikuese të romantizmit francez.