Herman Hesse, “Mbi dashurinë”, tharmin e ngjizjes së gjithë mrekullive, prekjes së hyjshme të lumturimit
Herman Hesse, një nga zërat më të kthjellët të mendimit shpirtëror në letërsinë moderne, e ka trajtuar dashurinë si thelbësoren e pjekurisë njerëzore. Për Hesen, njeriu matet me aftësinë e tij për të ndier, për të kultivuar brenda vetes një jetë të brendshme që sfidon rrethanat e jashtme për të hyrë në shpirtin e gjithçkaje përmes forcës transformuese të ndjenjës.
Në esenë e tij “Mbi dashurinë”, ai nuk na jep një formulë, por një udhëzim, sipas të cilit, dashuria nuk është ngjarje që të ndodh, është mënyra si jeton. Ky tekst nuk është një reflektim i rastësishëm, por kulm i një filozofie që Hese e ndërtoi gjatë gjithë jetës, filozofia e brendësisë, e shndërrimit dhe e të vërtetës së shpirtit që kërkon përmbushjen përmes ndriçimit të përjetimit.
“Mësova se të jesh i dashur nuk është asgjë, ndërsa të duash është gjithçka; dhe gjithnjë e më shumë më dukej se kuptoja se ajo që i jep vlerë dhe kënaqësi ekzistencës sonë nuk është gjë tjetër veçse aftësia jonë për të ndier. Kudo që vëreja në këtë tokë diçka që mund të quhej ‘lumturi’, ajo përbëhej nga ndjesia.
Paraja nuk ishte asgjë, pushteti nuk ishte asgjë. Shihje shumë njerëz që i kishin të dyja, e megjithatë ishin të palumtur.
Bukuria nuk ishte asgjë, shihje burra të bukur dhe gra të bukura që mbeteshin të palumtur pavarësisht bukurisë së tyre.
As shëndeti nuk kishte peshë të madhe; secili kishte aq shëndet sa ndiente. Kishte të sëmurë plot dëshirë për të jetuar, që lulëzonin deri pak para fundit, dhe kishte të shëndetshëm që vyshkeshin të tmerruar nga frika e dhimbjes.
Por lumturia gjendej kudo ku një njeri kishte ndjenja të forta dhe jetonte për to, nuk i përzinte, nuk i dhunonte, por i kultivonte dhe nxirrte kënaqësi prej tyre.
Bukuria nuk e kënaqte atë që e zotëronte, por atë që dinte ta donte dhe ta adhuronte. Lumturia është dashuri, asgjë tjetër. I lumtur është ai që di të dojë. Dashuri është çdo lëvizje e shpirtit tonë në të cilën ai e ndien veten dhe e përjeton jetën e vet. Por të duash dhe të dëshirosh nuk janë e njëjta gjë.
Dashuria është dëshirë e bërë e urtë; dashuria nuk do të zotërojë; ajo do vetëm të dojë.”
Ky përkufizim i Heses mbetet një nga kapërcimet më të qarta nga psikologjia e zotërimit tek etika e përjetimit. Ai na mëson se dashuria nuk është privilegj i atij që e merr, por art i atij që e jep; se lumturia nuk është rezultat i rrethanave, por i cilësisë së ndjeshmërisë sonë. Në një botë ku gjithçka matet me posedim, Hese na rikthen te një e vërtetë e lashtë sa vetë njeriu: njeriu bëhet i plotë vetëm kur lejon veten të ndiejë. Dhe pikërisht këtu qëndron profecia e tij e heshtur, se dashuria, e zbrazur nga çdo pretendim zotërimi, është mrekullia e vetme që ne jemi të aftë të krijojmë vetë.

