ZBULIMI I PAZAKONTË/ Galaktika “paralele” shihet me teleskop! Shkencëtarët: Imazhi që shohim sot i para 12 miliardëve viteve (VIDEO)

Shkencëtarët indianë kanë zbuluar galaktikën Alaknanda, një strukturë spirale të madhe dhe të rregullt që daton nga koha kur universi ynë ishte vetëm 1.5 miliardë vjeç, një fenomen tepër i rrallë për atë epokë. Drita e saj ka udhëtuar 12 miliardë vjet deri tek ne, ndaj astronomët do të vijojnë kërkimet për të kuptuar formimin e saj.

Astronautët në Indi kanë identifikuar një galaktikë masive dhe të strukturuar, e cila sipas tyre daton nga një periudhë kur universi ynë ishte vetëm 1.5 miliardë vjeç.

Galaktika, e quajtur Alaknanda, ndodhet rreth 12 miliardë vite-dritë larg dhe është vëzhguar falë teleskopit hapësinor James Webb.

Sipas studiuesve nga Qendra Kombëtare për Radioastrofizikë, zbulimi është i pazakontë sepse galaktikat e asaj epoke zakonisht ishin të vogla, të çrregullta dhe kaotike.

Alaknanda shfaq dy krahë të rregullt spirale, një bërthamë të ndritshme dhe formën tipike të një galaktike moderne diçka shumë e rrallë për një univers të hershëm.

Diametri përllogaritet të jetë rreth 30,000 vite-dritë, masa 10 miliardë yje kurse ritmi i formimit të yjeve 20-30 herë më i lartë se ai i Rrugës së Qumështit sot.

Ndërkohë drita e galaktikës ka udhëtuar 12 miliardë vjet për të mbërritur tek ne.

Kjo do të thotë se ne e shohim ashtu siç ishte atëherë, ndërsa gjendja e saj aktuale mbetet e panjohur.

“Kur dikush më pyet se si është sot, u them: prisni edhe 12 miliardë vjet,” – thonë me humor studiuesit.

Shkencëtarët synojnë të kërkojnë vëzhgime të mëtejshme me teleskopin James Webb dhe observatorin ALMA në Kili, për të kuptuar se si këto struktura spirale kaq të rregullta mund të krijoheshin në një univers kaq të ri.

Sepse çelësat e të tashmes dhe të ardhmes sonë, thonë ata, qëndrojnë në të kaluarën