Mici: Aflatoksina në qumësht rezistente ndaj nxehtësisë, Shqipëria ndjek standardet e BE-së

I ftuar në emisionin "Alert", në "Ora News", ishte Martin Mici, drejtor i përgjithshëm pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Zhvillimit në Fushën e Sigurisë Ushqimore, Veterinarisë, Mbrojtjes së Bimëve dhe Peshkimit, i cili shpjegoi rreziqet e aflatoksinës në produkte ushqimore dhe theksoi se kuadri ligjor shqiptar është i harmonizuar me standardet europiane

" Aflatoksina është një lloj myku që zakonisht është prezent në drithëra dhe arrorë, zhvillohet falë kushteve jo të mira të ruajtjes së këtyre drithërave, por edhe të drithërave të bluara në trajtën e koncentratit që kryesisht përdoret për ushqim për kafshë.

Aty zhvillohet aflatoksina, e cila përcillet deri tek qumështi, kur drithërat përdoren si ushqim për kafshët.

Është rezistente ndaj temperaturave të larta. Një nga ndotësit më të shpeshtë tek qumështi është aflatoksina m1, e cila është rezistente ndaj nxehtësisë.

Shtete të caktuara vendosin nivele MRL-je të aflatoksinës dhe aktualisht i kanë të ndryshme. Për BE-në ky nivel është 0.05 mikrogram për litër,ndërkohë që vende të tjera si Amerika, Irani,Japonia e kanë 10 fish më lartë normën e lejuar.

Në kuadrin ligjor shqiptar lidhur me aflatoksinën është i konsoliduar dhe është i njëjtë me standartet e BE-së. Ky legjislacion përditësohet vazhdimisht", u shpreh Mici.