Reagimi skandaloz i “Zepa”-s pasi hodhi në treg qumështin toksik. Aflatoksina në treg, arroganca në kamera
Kompania ZEPA u rikthye në qendër të skandaleve për sigurinë ushqimore, ndërsa u konfirmua se hodhi në treg 10 mijë litra qumësht të kontaminuar me aflatoksinë, nga të cilat 7,550 litra u konsumuan nga qytetarët. Përballë pyetjeve të drejtpërdrejta, përfaqësuesja e Kompanisë u mjaftua me heshtje dhe arrogancë, duke lënë pas pikëpyetje të mëdha mbi sigurinë ushqimore dhe përgjegjësinë ligjore.
Skandali i rreth 10 mijë litrave qumësht lope dhe dhie me aflatoksinë të hedhur në treg nga kompania “ZEPA” ka tronditur opinionin publik.
Informacioni i “Ora investigim” u konfirmua edhe nga AKU, e cila bëri të ditur se 7.550 litra qumësht janë konsumuar nga qytetarët, ndërsa pjesa tjetër është hequr nga tregu dhe është bllokuar.
Në lidhje më këtë situatë televizioni “Ora News” i ka kërkuar Administratores Alma Tafani që të informojë qytetarët se ku dështoi kontrolli i brendshëm i fabrikës dhe masat që u morën ndaj personave përgjegjës që lejuan daljen në treg të një produkti i cili ka rrezikuar shëndetin publik.
Përgjigjet e pyetjeve që nuk i morëm nga administratorja Tafani shkuam për t’i marrë në fabrikën e qumështit “ZEPA”.
BISEDA 1
Gazetarja: Është hedhur 10 mijë litra në total, qumësht lope dhe dhie me prezencë aflatoksine...
Zepa: Të gjitha këto informacione, ma jep me shkrim dhe ne të kthejmë një përgjigje zyrtare.
Gazetarja: Me shkrim e çova te AGS, por nuk mora përgjigje zyrtare.
Zepa: Unë jam në procesin tim të punës, ti po më merr kohën time për të bërë këtë bisedë.
Gazetarja: Ju na keni marrë shëndetin duke na shitur qumësht me aflatoksinë, unë po të marr 2 minuta kohë.
Zepa: Të lutem!
Gazetarja: Ju na keni marrë shëndetin, keni hedhur në treg një qumësht që nuk duhet të ishte hedhur, ndërsa ti po më akuzon pse po të marr 2 minuta kohë?
Zepa: Çdo gjë që keni dërgojeni me shkresë!
Gazetarja: Nuk e mora përgjigjen.
Kompania nuk mban asnjë përgjegjësi për faktin se i ka shitur qytatarëve 7550 litra qumësht toksik.
BISEDA 2
Gazetarja: I bëni analiza qumështit para se ta hidhni në treg.
Zepa: Patjetër që bëjmë analiza.
Gazetarja: Po si ka mundësi që doli 10.000 litra me aflatoksinë kur ju i bëni analizat?
Zepa: Fabrika në momentin që ka konstatuar problemin, janë marrë masat për tërheqjen e produktit nga tregu.
Gazetarja: Ju nuk tërhoqët gjë, AKU e zbuloi dhe pastaj e tërhoqët ju.
Zepa: E tërhoqëm ne ...
Gazetarja: Mbasi u shitën 8000 litra? Mbani përgjegjësi për këtë situatë të shkaktuar, pasi shumë qytetarë kanë konsumuar një qumësht që nuk duhet ta konsumonin?
Zepa: Biseda jonë këtu mbaron.
Përballë pyetjes së drejtpërdrejtë se kush mban përgjegjësi për qumështin e konsumuar nga mijëra qytetarë, biseda mbyllet me një “falënderim ironik”.
BISEDA 3
Gazetarja: Përgjegjësi nuk mban askush për qumështin që është tregtuar?
Zepa: Faleminderit, ishte kënaqësi që u takuam!
Pikëpyetje të mëdha ngre fakti se me këtë qumësht mund të jenë furnizuar kopshte dhe çerdhe në disa qytete të vendit.
Publiku kërkon përgjigje. ZEPA, deri tani, ofron vetëm heshtje dhe indiferencë.
Gjoba që i ka vendosur AKU subjektit është 3 milionë lekë, ndërsa nga qumështi me aflatoksinë i shitur nga kompania ZEPA kap vlerën rreth 14 milionë lekë.
Skandali i ZEPA-s me rreth 10 mijë litra qumësht të kontaminuar me aflatoksinë tronditi opinionin publik, ndërsa kompania refuzoi të japë përgjegjësi për faktin se 7.550 litra u konsumuan nga qytetarët.
Përballë pyetjeve të drejtpërdrejta, administratorja u mjaftua me heshtje dhe arrogancë, duke lënë pas pikëpyetje të mëdha mbi sigurinë ushqimore dhe përgjegjësinë ligjore.

