Qeveria do ngrejë 20 qendra të reja për emigrantët deri në vitin 2028! Tre qarqe që do bëhen pikat kryesore të pritjes

Shqipëria pritet të ngrejë 20 qendra pritëse për emigrantët gjatë dy viteve të ardhshme, sipas Planit Kombëtar të Kontigjencës 2026–2028, i miratuar në mbledhjen e fundit të Këshillit Konsultativ të AMVV. Qendrat do të shërbejnë për personat që kalojnë territorin shqiptar nga Afganistani, Pakis­tani, Irani, Siria, Libani dhe Gaza.

Strukturat e reja do të vendosen në tre qarqe kryesore: Korçë, Gjirokastër dhe Vlorë, me kapacitete që variojnë nga 100 deri në 410 shtretër. Plani synon shfrytëzimin e hapësirave publike ekzistuese, objekteve të braktisura dhe truallit të lirë, me qëllim rritjen e kapaciteteve të reagimit në rast fluksesh të papritura.

Në qarkun e Korçës, janë identifikuar të paktën 10 pika akomodimi, duke përfshirë Floqin (ish-TAP), Bilishti, Bitincka, Kolonja, depozitat e ish-Rezervave Shtetërore në Lozhan, si dhe tre hapësira në Pustec.

Në Gjirokastër, strukturat më të rëndësishme do të bazohen në ish-Rezervat Shtetërore, me pika në Memaliaj dhe Përmet, të afta të akomodojnë mbi 100 persona.

Ndërsa në Vlorë, hapësirat kryesore përfshijnë konviktet e “Qytezës së Studentit”, objektet e Shkollës Industriale, Pallatin e Sportit “Flamurtari”, Shkollën e Marinës dhe disa struktura në Novoselë, Selenicë, Delvinë, Himarë dhe Konispol.