Vaji ''Made in Berat'' drejt botës

Projekti “Berati 2400 vjet” synon të krijojë markën e parë të qëndrueshme të vajit të ullirit “Made in Berat”, me mbështetjen e Bankës Botërore dhe Qeverisë Shqiptare.

Nisma pritet të kthehet në model kombëtar bashkëpunimi për bujqësinë inteligjente dhe zhvillimin rural.

Një iniciativë që synon të revolucionarizojë sektorin e bujqësisë po merr formë në Shqipëri.

Projekti “Berati 2400 vjet” po bashkon 50 fermerë dhe aktorë të tjerë për të krijuar një markë të qëndrueshme të vajit të ullirit “Made in Berat”, me mbështetjen teknike të Bankës Botërore dhe financimin e Qeverisë Shqiptare.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, theksoi se kjo nismë, pjesë e projektit CRAD, është vetëm fillimi i një rrjeti kombëtar bashkëpunimi që do të përfshijë edhe Fierin, Gjirokastrën, Elbasanin, Lezhën dhe Vlorën.

Fokus i projektit mbetet bujqësia inteligjente, laboratorët modernë dhe zhvillimi i klasterit të ullirit, duke rritur konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare në tregjet vendase dhe ndërkombëtare

Përveç konsorciumit të ullirit, diskutimet me Bankën Botërore përfshinë edhe investime në sigurinë e digave, zgjerimin e bujqësisë inteligjente dhe përmirësimin e sistemit ujitës të Lushnjës.

Ministri Salla konfirmoi përkushtimin për përfundimin e Misionit të Vlerësimit të Mesëm brenda dhjetorit dhe thellimin e bashkëpunimit për zhvillimin afatgjatë rural