Chris Hill, 'Në shërbim larg vendit'/ Rama: E njoha kur më thanë se kishin çuar Fatos Nanon në burg
Diplomati amerikan Christopher Hill u rikthye në Tiranë për të prezantuar librin e tij, ndërsa kryeministri Rama e vlerësoi si diplomatin që e njeh Ballkanin “nga brenda” dhe si një figurë të qetë, por me ndikim të madh.
Hill, nga ana e tij, përgëzoi Shqipërinë për transformimin e saj dhe u shpreh i bindur se vendi do të anëtarësohet në Bashkimin Europian.
Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Christofer Hill, u rikthye në Shqipëri, këtë herë i zhveshur nga petku i zyrtarit, por për të prezantuar librin ‘Në shërbim larg vendit’, ku shpalos të gjithë eksperiencën në diplomacy.
I pranishëm në prezantim kryeministri Edi Rama, tregoi si e njihte ambasadorin nga emri i tij.
''Më duhet ta them që kur dëgjova për herë të parë për ChrisHill, ishte kur më thanë se kishte çuar Fatos Nanon në burg.''
Por opinioni për diplomatin e karrierës, do të ndryshonte më pas.
''Çuditshëm kurrë nuk ka shfaqur ndonjë tundim për të folur me zë të lartë, për tu bërë ndonjë ndikues, për tu shfaqur nëpër foto nga majat e maleve në brigjet e deteve të këtij rajoni, por ka qenë gjithmonë i pranishëm si një mjeshtër pëshpëritës''.
Kryeministri e vlerëson më tej diplomatin Christofer Hill, si ambasadori që e njeh më mirë se kushdo Ballkanin, referuar shërbimeve të tij në këto vend.
''Por ka diçka që mund ta them me siguri dhe mendoj që jam i sigurt kur e them se Chris Hill është ndoshta i vetmi diplomat amerikan që ka shërbyer si ambasador në këtë rajon që nuk e kupton Ballkanin nga distanca por e kupton atë nga brenda sepse ai e ka jetuar Ballkanin në të gjitha këndet e tij, praktikisht e ka përshkruar të gjithë hartën e tij''.
Nga ana e tij Hill vlerësoi shqipërinë e shqiptarët, teksa u shpreh besimplotë për integrimin në BE.
''Shqipëria ka qenë vend i izoluar, por sot është aktore në rajon dhe në Europë.
Shqipëria tani po bën përpjekje të hyjë në BE. Nuk kam dyshim se Shqipëria do hyjë në BE''.
Christofer Hill, ka shërbyer si ambasador në Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Serbi si dhe në Kosovë si i dërguar special.
