Balliu: Shqipëria nuk mund të shndërrohet në një korridor të pakontrolluar migrator
Klevis Balliu ka denoncuar zyrtarisht në median prestigjioze italiane “Domani” aferën Kayo, një nga skandalet më të rënda që ekspozon qartë kapjen totale të shtetit nga regjimi Rama–Balluku.
Në deklaratën e tij për median ndërkombëtare, Balliu thekson se kjo aferë nuk është një rast i izoluar, por është model qeverisës i ndërtuar mbi korrupsion, klientelizëm dhe zhvatje sistematike të qytetarëve shqiptarë.
Balliu nënvizon se dokumentet e zbuluara nga prokuroritë europiane, së bashku me faktet e paraqitura tashmë publikisht, tregojnë një skemë të strukturuar ku fondet publike devijohen drejt interesave private të rrjetit Rama–Balluku. Sipas tij, kjo aferë është vetëm maja e ajsbergut e një modeli të kalbur që po e çon Shqipërinë drejt humbjes së kontrollit institucional.
Duke folur për “Domani”, Balliu theksoi se është jetike që partnerët ndërkombëtarë të kuptojnë seriozitetin e situatës dhe rrezikun që paraqet kjo qeveri për sigurinë, ekonominë dhe stabilitetin e vendit. Ai paralajmëroi se çdo vonesë në reagim vetëm sa e thellon krizën dhe e bën më të kushtueshme rikthimin e shtetit te qytetarët.
REAGIMI I BALLIUT
Qeveria ka miratuar planin për ngritjen e 20 qendrave të reja të emigrantëve në Korçë, Gjirokastër dhe Vlorë, pa transparencë dhe pa garanci sigurie.
Ky vendim rrit rrezikun për komunitetet lokale në një kohë kur rendi publik është në krizë dhe policia nuk garanton dot sigurinë elementare në qytetet tona.
Të hapësh kampe me qindra persona nga zona të konfliktit, pa u konsultuar me qytetarët dhe pa një plan të qartë sigurie, pa transparencë, është papërgjegjshmëri e rëndë.
Shqipëria nuk mund të shndërrohet në një korridor të pakontrolluar migrator ndërkohë që institucionet tona të rendit janë të mbingarkuara dhe të politizuara.
Për këtë arsye, nën cilësinë e Zv. Kryetarit të Komisionit të Punëve të Brendshme dhe të Mbrojtjes, i kam dërguar Ministrisë së Brendshme një kërkesë zyrtare me shkrim për informacion të detajuar mbi masat e sigurisë, kapacitetet e policisë, arsyetimin e vendimit dhe koston e projektit.
Qytetarët kanë të drejtë të dinë çfarë po ndodh me sigurinë e tyre dhe pse qeveria merr vendime të tilla në mënyrë të fshehtë. Qytetarët kanë nevojë që Shqipëria të mos shndërrohet në vendin që lejon depozitimin e të gjithë emigrantëve të paligjshëm në botë. Siguria kombëtare duhet të jetë prioritet absolut!


