Gjoba 2.5 mln euro në zonën e Farkës/ 581 objekte të kontrolluara, Koçiu: Abuzimet s’do të shpërblehen
Plot 2.5 milionë euro gjoba janë vendosur deri tani në zonën e Farkës, ku prej tre javësh po zhvillohet operacioni i gjerë për verifikimin e lejeve të ndërtimit dhe standardeve të sigurisë. Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, u rikthye sërish këtë të diel në terren, duke bërë publik bilancin e deritanishëm të kontrolleve.
“4,500 metër katrorë sipërfaqe ndërtimore, gjysma e saj është prishur menjëherë me kosto të mbajtura nga ndërtuesit. Ndërsa pjesa tjetër është në proces vlerësimi për konfiskim, për interes publik.”-tha Koçiu.
Koçiu theksoi mekanizmin e ri ligjor, i cili nuk lejon asnjë përfitim nga abuzimi. Sipas saj, ky proces ndalon shpërblimin ekonomik të shkelësve dhe vendos standard të barabartë për të gjithë.
“Dua ta theksojë me forcë. Ky operacion nuk ka qëllim të dënojë industrinë e ndërtimit. Ka synim të rris standartin, të mbrojë qytetarët, të sigurojmë që ata që zbatojnë ligjin të mos konkurrohen padrejtësisht nga ata që e shkelin atë.”- u shpreh ministrja.
Ajo paralajmëroi se operacioni nuk do të mbyllet së shpejti.
“Ky operacion do të vazhdojë, jo për tre javë, jo deri sa të mbyllet një sezon, por derisa rregulli, standarti dhe përgjegjshmëria të jenë norma e vetme në territor.”-e përmbylli Koçiu.
Në përmbyllje, Koçiu konfirmoi se vendosmëria për të sjellë transparencë dhe kontroll të rreptë mbi sektorin e ndërtimit është tashmë pjesë e përditshmërisë së punës së Ministrisë së Brendshme.
