SERI AKSIDENTESH FATALE/ E hënë e “zezë” në rrugët e vendit, viktima e të plagosur
Një seri aksidentesh të rënda përfshinë vendin, duke lënë pas dy viktima dhe disa të plagosur. Policia arrestoi drejtuesit përgjegjës dhe po heton shkaqet e ngjarjeve që përgjakën të hënën
Këto pamje tregojnë momentin kur një autobus “Green Line” i linjës Astir-Qendër mori përpara një vajzë me biçikletë mbrëmjen e të dielës pranë pallatit me Shigjeta në Tiranë.
Për pasojë e reja 18-vjeçare mbeti e dëmtuar, sikurse edhe tre pasagjerë që ndodheshin në mjetin e transportit urban, që përfundoi i përplasur me makina të tjera të parkuara.
Pas veprimeve hetimore policia e Tiranës lajmëroi arrestimin e drejtuesit 56-vjeçar të Autobusit, i cili sipas bluve ka humbur kontrollin e mjetit
E hëna nisi me aksidente fatale! Një grua 49-vjeçare u përplas për vdekje nga një makinë tek ish-sheshi “Shqiponja” në kryeqytet.
Goditja ishte fortë dhe vdekjeprurëse në vend për këmbësoren.
Drejtuesi 30-vjeçar i mjetit u ndalua në kushtet e flagrancës deri në sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.
Seria e ngjarjeve që përgjakën rrugët e vendit këtë fillim jave vijoi në aksin Roskovec-Berat, ku një makinë përplasi për vdekje një 50-vjeçar që po udhëtonte me biçikletë pranë fshatit Strum.
Goditja ishte e fortë dhe Gëzim Xhoka ndërroi jetë për pasojë të plagëve të rënda.
Drejtuesi i automjetit, I identifikuar si Jamarbër Torro u ndalua nga policia në kushtet e flagrancës, ndërsa ekspertët kryen veprime hetimore për zbardhjen e rrethanave të përplasjes fatale.
Këto pamje ndërkohë tregojnë një aksident në orët e para të mëngjesit ku një makinë përfundoi në mes rrethrrotullimit të Savrës, siç njihet ndryshe dalja jugore të Lushnjes.
Përplasja ka qenë e fortë dhe përveç dëmeve materiale të mjetit është plagosur edhe drejtuesi, por jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë aventura e një 12-vjeçari që i kishte marrë makinën të atit rrezikoi të përfundojë në tragjedi në fshatin Mushqeta të Tiranës, pasi ai Humbi kontrollin e mjetit e përfundoi jashtë rruge.
I mituri dhe një 18-vjeçar që udhëtonte me të mbeten të dëmtuar, ndërsa babait pronar të mjetit ngjarja i kushtoi edhe ndjekje penale.

