Protesta e fermerëve në Greqi/ Radhë të gjata në Kakavijë: Qytetarët presin më shumë se dy orë për të kaluar kufirin

Udhëtarët thonë se lëvizja e mjeteve është tepër e kufizuar dhe radha është zgjeruar ndjeshëm që gjatë orëve të para të ditës. Për shumë prej tyre, pritja e gjatë po shkakton shqetësime, sidomos për ata që udhëtojnë me fëmijë ose kanë orare pune në Greqi.

Sipas qytetarëve në radhë, autoritetet greke nuk po i përshpejtojnë procedurat, ndërsa sportelet funksionojnë me kapacitet minimal, duke shkaktuar bllokim të përkohshëm të kalimit.

Nga ana tjetër, pala shqiptare ka vijuar punën normalisht, ndërsa fluksi i lartë i mjeteve dhe procedurat e palës greke po mbajnë të bllokuar një numër të madh udhëtarësh.

Pritet që situata të normalizohet në orët në vijim, nëse pala greke hap sportele shtesë për përpunimin e dokumenteve.

Njoftimi i Policise Kakavijë

Policia Kufitare Kakavijë, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, nga ora 12:00 deri në orën 18:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në fshatin Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët.

Do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore.

Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës.