Manovra të rrezikshme në rrugë, Policia e Elbasanit gjoba ndaj katër drejtuesve
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan bëri të ditur sot se, pas verifikimeve të kryera mbi katër video të publikuara në rrjetet sociale, në të cilat shfaqeshin tre automjete dhe një motomjet duke kryer manovra të rrezikshme, u morën masa administrative ndaj drejtuesve të mjeteve të identifikuar.
Sipas Policisë, specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore vendosën gjobë në masën 40 mijë lekë ndaj drejtuesit të automjetit që u filmua duke kryer “drift” dhe duke lëvizur me shpejtësi të papërshtatshme në një zonë të banuar e të frekuentuar nga qytetarë.
Po ashtu vendosën gjobë 57 mijë lekë ndaj drejtuesit të motomjetit që qarkullonte pa vendosur kaskën mbrojtëse dhe kryente manovra të rrezikshme, duke vënë në rrezik veten dhe përdoruesit e tjerë të rrugës.
Ndaj 2 drejtuesve mjetesh u vendosën gjoba nga 10 mijë lekë për parakalim të gabuar në akset “Përrenjas–Librazhd” dhe “Librazhd–Qafë Thanë”.
Policia e Elbasanit u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor në numrin pa pagesë 112, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe mbështetje ligjore.
