DARËZEZA KTHEHET NË PISTË GARASH/ 16 kalorës nga Shqipëria, Kosova e Presheva sfidojnë njëri-tjetrin

Bregdeti i Darëzezës është shndërruar këtë të dielë në një pistë të vërtetë garash me kuaj, teksa dhjetëra qytetarë ndoqën aktivitetin festiv të organizuar në kuadër të 28–29 Nëntorit. Në garat e kësaj fundjave morën pjesë 16 kalorës nga e gjithë Shqipëria, Lugina e Preshevës dhe Kosova, duke sjellë emocion dhe adrenalinë përgjatë vijës bregdetare të Fierit.

Sipas organizatorit Indrit Plangaj, eventi u zhvillua me pjesëmarrjen e katër klubeve sportive, ndërsa garuesit konkurruan në tre gara shpejtësie, me distanca prej 2 dhe 3 kilometrash. Plangaj apeloi për më shumë mbështetje nga shteti në zhvillimin e hipizmit, një sport që, sipas tij, ka potencial të përfaqësojë Shqipërinë edhe në skenën ndërkombëtare.

Mendoj që ja kemi arrit qëllimit edhe shpresojmë që në një të ardhme të organizohen kampionate të tilla, duke afruar të apasionuarit pas kuajve.

Shpresojmë që në bashkëpunim me qeverinë që sportin e hipizmit ta çojmë përpara.

Pse jo mos të garojmë edhe në Europë."- tha ai.

Aktiviteti u ndoq nga qytetarë të të gjitha moshave, të cilët krijuan një atmosferë festive përgjatë bregdetit të Darëzezës. Në përfundim, u shpallën fituesit për secilën prej tre garave, duke dhënë 9 çmime në total: vendet e para, të dyta dhe të treta.

Ndër më të komentuarit ishte sërish fieraku Beso Shkrela me kalin “Luna”, i cili triumfoi për herë të disatën radhazi, duke marrë duartrokitje të shumta nga publiku. Ndërsa një tjetër fitues i garave, Eduart Cinga, u shpreh i emocionuar dhe u bëri thirrje të gjithë të pasionuarve të bashkohen me komunitetin e hipizmit.

Vija bregdetare e plazhit të Darëzezës është kthyer vitet e fundit në një hapësirë të preferuar për aktivitete sportive, duke u bërë një destinacion i rëndësishëm për evente që promovojnë sportin, turizmin dhe traditën.