FOTO/ Arti i gatimit shqiptar në fokus të diplomacisë kulturore
Gastronomia shqiptare u vu në qendër të vëmendjes në një tryezë të posaçme të zhvilluar në Tiranë, ku tradita dhe shija u kthyen në pika takimi mes kulturave dhe institucioneve.
Përfaqësues të institucioneve qeveritare, ambasadave, hoteleve kryesore të vendit dhe shkollave profesionale u mblodhën për të diskutuar se si gastronomia shqiptare mund të jetë jo vetëm pjesë e identitetit kulturor, por edhe një urë e fortë bashkëpunimi dhe promovimi ndërkombëtar.
Në tryezë ishte i pranishëm edhe Guillaume Gomez, president i Groupe Gastronomie dhe shef i Presidencës Franceze, i dekoruar me titullin prestigjioz “Meilleur Ouvrier de France”.
Ai vlerësoi artin e gatimit shqiptar dhe theksoi potencialin e tij si një instrument delikat e efikas i diplomacisë moderne, duke e krahasuar kuzhinën me një gjuhë universale që i bashkon njerëzit përtej traditave dhe kufijve.

Drejtoresha e AlDA-s, Laura Plaku Saro, nënvizoi se kjo tryezë është një dëshmi e qartë se tradita kulinare shqiptare nuk kufizohet vetëm te shija e recetave, por shtrihet edhe në fushën e diplomacisë, duke forcuar imazhin e vendit përmes kulturës dhe mikpritjes.

Diskutimet gjatë tryezës sollën në fokus nevojën për të promovuar ushqimin e shëndetshëm dhe produktet vendase, për të shfrytëzuar gastronominë si mjet diplomatik, për të rritur turizmin cilësor dhe për të forcuar edukimin profesional që formon brezin e ardhshëm të kuzhinierëve dhe specialistëve të turizmit.
Mes aromave të recetave tradicionale dhe ideve novatore, u ritheksua fakti se kuzhina shqiptare është shumë më tepër se një koleksion shijesh: ajo është art, kulturë, identitet dhe një pasaportë e fuqishme që e çon historinë e Shqipërisë në skenën ndërkombëtare./ATSH

