ARMËT PËR FLAMUR E ATDHE! Në Muzeun e Ushtrisë ekspozohet koleksioni i rrallë i luftëtarëve të Pavarësisë
Një ekspozitë e rrallë armësh historike është hapur në Muzeun e Forcave të Armatosura, ku prezantohen armët e luftëtarëve që luftuan për shtetin shqiptar dhe lirinë. Koleksioni përfshin pushkë, shpata dhe dokumente të epokave të ndryshme, si dëshmi e sakrificës dhe vendosmërisë së shqiptarëve ndër vite.
Kjo “Hutë”, siç e kanë quajtur shqiptarët, Martinën e njohur, është një prej armëve të përdorura në luftërat për flamur dhe shtet.
Së bashku me armë të tjera të rralla të luftëtarëve të lirisë, ajo u prezantua në një ekspozitë në Muzeun e Forcave të Armatosura, si pjesë e kremtimit të Festës së Pavarësisë dhe Ditës së Çlirimit.
Mes tyre ndodheshin edhe modelet e armëve që përdornin Çerçiz Topulli dhe Isa Boletini.
Koleksioni përfshin pushkë, pistoleta, shpata dhe pajisje të tjera ushtarake, disa prej tyre të zbukuruara me argjend, si dhe dokumente të epokave të ndryshme që tregojnë zhvillimin e armëve dhe strategjitë e luftimeve ndër vite.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, e vlerësoi ekspozitën si një kontribut të vyer në ruajtjen e trashëgimisë ushtarake dhe kombëtare, duke i cilësuar këto armë si “dëshmi të gjalla të sakrificës dhe vendosmërisë së shqiptarëve për liri”.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun për disa javë, ku vizitorët do të kenë mundësi t’i shohin nga afër. Aktiviteti vjen si nderim për të gjithë ata që me guxim e sakrificë luftuan për flamur e liri.

