“Kënga e mjellmës” nga Franc Shubert, në TKOB nga Etrita Ibrahimi dhe Artur Vera

Pas ciklit “Rrugë dimërore” dhe “Mullixhesha e bukur”, e cila ishte premierë absolute, TKOB vendosi të sjellë për publikun kryeqytetas, ciklin e fundit të kompozitorit Franc Shubert, “Kënga e mjellmës” (Schwanengesang).

Pjesë e ciklit “Kënga e Mjellmës” është edhe Serenata e njohur e Franc Shubert, një nga krijimet më poetike dhe më të dashura të repertorit, e cila erdhi për herë të parë në Shqipëri nën interpretimin e baritonit, Artur Vera dhe pianistes Etrita Ibrahimi.

Një nga ciklet më prekëse të Franc Shubert, “Schwanengesang” është një mozaik i ndjerë këngësh që shënjojnë kulmin e krijimtarisë së tij, si drita e fundit që kompozitori i madh i la botës.

“Kënga e mjellmës” nga Franc Shubert, në TKOB nga

Tingujt e fundit që Shuberti shkroi përpara se të largohej nga jeta, e përcollën publikun  në një tjetër udhëtim liedesh në skenën e TKOBAP-së.

Liedet jane këngë në gjuhën gjermane për solo dhe piano, kryesisht nga epoka romantike e shekullit të 19-të.

Ky zhanër karakterizohet nga lidhja e ngushtë midis poetit dhe kompozitorit, shpesh me pjesën e pianos që është po aq ekspresive sa melodia vokale, për të përcjellë tema mbi natyrën, dashurinë dhe legjendën. Disa nga kompozitorët e famshëm të liedeve janë Franc Shubert, Robert Shuman dhe Johan Brahms.