BEQAJ, DËGJON AUDION E “STERILIZIMIT”/ Ish-ministri i Shëndetësisë ka pretendime për zbardhjen e seancave

Ilir Beqaj do të dëgjojë audio-regjistrimet e seancave të çështjes së sterilizimit, pasi gjykata pranoi kërkesën  e Ish ministrit  për verifikimin e përputhjes me procesverbalet. Ai akuzohet nga SPAK për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, të lidhur me procedurat e koncesionit

Ish-ministri Ilir Beqaj do të ketë mundësinë të dëgjojë audio-regjistrimet e seancave paraprake të zhvilluara nga gjyqtarja Flojera Davidhi për çështjen e sterilizimit. Kërkesa e tij u pranua këtë të enjte në seancën e mbajtur në Gjykatën e Posaçme.

Shkalla e parë i ka vënë në dispozicion një nga sallat e Apelit të Posaçëm dhe stafin administrativ, në mënyrë që Beqaj të mund të dëgjojë regjistrimet audio të seancave, të cilat mbrojtja pretendon se nuk përputhen me procesverbalet e zbardhura dhe se mungojnë elemente thelbësore.

Më herët, Beqaj ka kërkuar pushimin e menjëhershëm të çështjes penale dhe shpalljen e pavlefshmërisë së vendimit të gjyqtares paraprake, por kërkesat janë rrëzuar. Ai po gjykohet në një proces të ndarë nga tetë të bashkëpandehurit e tjerë në këtë dosje, mes tyre ish-zëvendësministri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, të cilët u gjykuan me procedurë të shkurtuar.

SPAK ka kërkuar në total 36 vite e 8 muaj burg për tetë të akuzuarit, ndërsa për ish-zëvendësministrin Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj është kërkuar dënimi me nga 10 vite burg. Nëse shpallen fajtorë, ata përfitojnë ulje dënimi nga gjykimi i shkurtuar dhe do të vuajnë 6.8 vite.

Prokuroria e Posaçme e akuzon Ilir Beqajn për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, dyshim që lidhet me procedurat dhe vendimmarrjen gjatë kohës që ai drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë, të lidhura me koncesionin e sterilizimit, për të cilin dyshohet se është shkaktuar dëm i konsiderueshëm ekonomik.

Hetimi përfshin gjithashtu dyshime për shkelje të barazisë në tendera dhe procedura të parregullta administrative. Seanca e radhës do të mbahet më 11 Dhjetor