Krimi mes adoleshentëve, Belshaku: Dështim i sistemit në parandalim. Roli i mësuesit ka rënë, sot “flet” rruga

Pas ngjarjes së rëndë në Durrës, ku një 15-vjeçar u plagos me thikë nga një 14-vjeçar pas një konflikti të nisur në rrjetet sociale, sherri i cili përshkallëzoi në përdorimin e sendeve të forta dhe mjeteve prerëse, studiuesja e punës sociale Sabina Belshaku, e ftuar në “Ora News”, theksoi se rastet e dhunës tek të rinjtë nuk duhet të konsiderohen të izoluara, por si një dështim i sistemit arsimor dhe i mbështetjes psiko-sociale për fëmijët.

Në këtë kontekst, Belshaku nënvizoi se fenomeni i dhunës është një këmbanë alarmi për prindërit, mësuesit dhe politikbërësit për të përmirësuar mekanizmat e parandalimit dhe mbështetjes së të rinjve.

" Unë jam nënë e një djali 13-vjeçar dhe çdo incident që ndodh në shkollë mua më prek personalisht. Si nënë por edhe si pedagoge e punës sociale nuk mund t'i shohim si raste të veçuara, si raste të izoluara apo thjesht si statistika, por unë dua të them që kjo është vërtetë një këmbanë alarmi për ne prindërit, për mësuesit, për të gjithë politikbërësit.

Unë mendoj që ne jemi përballë një të vërtete të hidhur. E shikoj si një dështim, një dështim të sistemit kombëtar të edukimit me raste sistemike, me raste të përsëritura në parandalimin e dhunës, në raste të përsëritura në mungesën e mbështetjes psiko-sociale apo edhe të bashkëpunimit me familjen.

Duket se tek ne ka rënë sistemi i parandalimit. Ne merremi me rastet vetëm pasi ato kanë ndodhur", u shpreh Belshaku.

Ne vijim, ajo renditi dhe problematikat që hasen me trajtimin e të rinjve të sotëm.

"Problem kryesor është familja, ku ne shikojmë që prindërit punojnë me orë të tejzgjatura pune dhe kontakti i tyre me fëmijët dhe me shkollat është i largët.

Problemi i dytë dhe kjo është në fakt një kambanë alarmi, është fakti se sot shikojmë që autoriteti i mësuesit ka rënë dhe kur bie ky autoritet, ka rënë shkolla dhe kur bie shkolla është ngritur autoriteti i rrugës.

Kjo sepse mësuesit shqiptarë sot janë të pambrojtur nga presionet e vazhdueshme të prindërve që nuk janë në shumicën e rasteve bashkëpunues me mësuesin.

Nuk kanë ndërmjetësimin e drejtuesve, pra iu mungojnë mekanizmat mbrojtës", tha Sabina Belshaku.