Aplikacioni “Bukë e Djathë” merr financimin e inovacionit në San Francisko

Ekipi shqiptar i TechWomen është shpallur një nga katër fituesit globalë të “Innovation Challenge Seed Funding Award 2025” në San Francisko, njoftoi sot Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.

Gjatë programit të tyre të shkëmbimit në Shtetet e Bashkuara, pjesëmarrëset e TechWomen Albina Bardhi, Besarta Hoxha, Kristi Shehu, Miralda Çuka dhe Xhoena Duro krijuan një aplikacion të quajtur “Bukë e Djathë”, i cili do të përdorë teknologjitë e reja për të krijuar një treg të digjitalizuar që lidh fermerët drejtpërdrejt me konsumatorët.

Ambasada e SHBA në Tiranë e cilësoi suksesin një dëshmi të dinamizmit dhe potencialit të vajzave dhe grave shqiptare në teknologji.

“Përvoja e tyre dëshmon dinamizmin e ekonomisë dhe ekosistemit teknologjik amerikan, një inkubator për bashkëpunim dhe inovacion për zgjidhjen e problemeve të shoqërisë”, nënvizon ambasada amerikane.