Meta: Epidemia Soros ka sjellë nivel të lartë degradimi
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një intervistë për “Syri.net”, ka lëshuar akuza të forta ndaj mazhorancës
Meta ka komentuar edhe deklaratat e Komisioneres Kos për zgjedhjet e manipuluara të 11 majit. “Epidemia Soros ka sjellë një nivel të lartë degradimi dhe korruptimi në institucionet e BE”, është shprehur Meta.
Pyetje: Së fundi, Komisionerja për Zgjerimin, Znj. Kos, jo vetëm lavdëroi Shqipërinë për çeljen e kapitujve, por dhe vlerësoi maksimalisht zgjedhjet e 11 Majit, ndryshe nga raporti i OSBE-ODIHR-it. Si e komentoni?
Meta: Para një dekade një politikan i madh italian më ka thënë se dikur punët shkonin mirë në botë se SHBA kishte fuqinë dhe Evropa kishte trurin dhe burra të mëdhenj shteti.
Unë kam patur fatin të punoj me shumë prej tyre.
Por dua t’ju veçoj, nisur nga pyetja e juaj, një përvojë që kam patur me Z. Chris Patten, i cili ka qenë Komisioneri edhe për zgjerimin i BE.
Takimet me të ishin shumë të vështira, sepse jo vetëm niveli i përgatitjes së tij për çështjet konkrete ishte shumë i kualifikuar, i saktë dhe konkret, por edhe integriteti i tij ishte shumë i lartë.
Në përpjekje për të zbutur qëndrimet e tij ndaj disa fenomeneve shqetësuese një politikan i lartë i kishte shprehur bujarinë për t’i ofruar mundësinë që të kishte ndonjë vilë në jug të Shqipërisë meqenëse ai ishte shprehur me superlativë për bukuritë e bregdetit tonë.
Një diplomat i yni që merrej me integrimin më thotë mua që janë keq punët se është ndjerë i fyer Z. Patten, i cili i kishte thënë ekipit të tij se a nuk e dinte ai politikani shqiptar se Chris Patten kishte qenë guvernatori i Hong Kongut?
Tani kohët kanë ndryshuar shumë dhe kriteret e Kopenhagenit përmenden përherë e më pak.
Epidemia Soros ka sjellë një nivel të lartë degradimi dhe korruptimi në institucionet evropiane fatkeqësisht.
Sorosifikimi i të majtës evropiane është një proces i përmbyllur, por fatkeqësisht tentakulat e tij janë shtrirë edhe më gjerë, duke minuar parimet mbi të cilat u themelua Evropa e Bashkuar.
Besoj se e keni ndjekur reagimin e BE ndaj planit të Presidentit Tramp për paqen në Ukrainë së fundmi.
BE deklaroi me forcë ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit të Ukrainës dhe pse një pjesë e madhe sot e saj është e pushtuar dhunshëm nga Rusia.
Pra BE, me të drejtë, kërkon mosndryshimin e kufijve dhe ne jemi dakord me këtë.
Pyetje: Por, nga nisi ideja për ndryshimin e kufijve të Kosovës, e cila është në zemër të vetë BE?
Meta: Nuk besoj se keni harruar se kjo nisi fatkeqësisht nga Brukseli, ku u bënë edhe negociata për një kohë të gjatë, derisa lançimi publik i tyre tronditi kancelaritë kryesore në Berlin, Londër etj.
Natyrisht që kjo ide ishte e sponsorizuar nga Soros dhe fondacioni i tij në Serbi.
Kishte detajuar dhe projektin përkatës bashkë me studimin e fizibilitetit. Apo harruat?
Ndërsa negociatorja e ndryshimit të kufijve tani vjen në Tiranë e jep leksione për Europën e Bashkuar!
Është kjo BE, që nën ndikimin e Sorosit, imponoi ndryshime Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut për të garantuar zgjedhje të ndershme përmes garantimit të Qeverisë Teknike, 100 ditë para mbajtjes së tyre.
Ndërsa këtu, në mes të ditës, përmbysin edhe raportin e OSBE-ODIHR-it.
Por ky nuk është më problemi ynë, pra standardet e dyfishta të BE.
Problemi ynë është madhor dhe ekzistencial si shoqëri, si shtet, por edhe si komb.
A do të jetojmë të lirë dhe si shqiptarë të vërtetë me dinjitetin tonë njerëzor dhe identitetit tonë kombëtar, apo do tregojmë se e meritojmë këtë Qeveri kuislinge të Xhorxh Sorosit, e cila guxoi të miratojë me 77 kukullat e saj edhe ligjin antifamilje.
Unë jam i bindur se e ardhmja u përket guximtarëve dhe patriotëve dhe jo mercenarëve shqipfolës.
Asnjëherë gjërat nuk kanë qenë dhe janë të lehta për patriotët por ata janë të tillë sepse janë të pathyeshëm, të papërkulshëm dhe të paepur për të sakrifikuar për idetë dhe idealet e tyre, që janë të pavdekshme.
Nuk ka pushtet të përjetshëm, por ka ide të përjetshme siç është Shqipëria e lirë dhe sovrane.
