Berisha nga “Foltorja 2”: Kjo qeveri do shkruhet në muret e historisë si më antishqiptare dhe më hajdute
Sali Berisha e ka cilësuar si një nderim për demokratët dhe sakrificën e tyre, emërimin e tij si zëvendës President i CDI.
Gjatë fjalës së tij në “Foltoren 2”, Berisha u shpreh se sot kthehet nga Brazili, duke iu thënë mbështetësve të tij, se kanë mbështetës në mbarë botën në luftën kundër të keqes, siç e quajti ai qeverinë.
Berisha u ka bërë thirrje që “kjo betejë të vijojë”.
Berisha: Një përshëndetje shumë të përzemërt ju, të dashur demokrate e demokratë, opozitare e opozitarë që jeni sot këtu të pranishëm në këtë foltore.
Një përshëndetje të përzemërt të gjithë opozitarëve kudo që janë, të gjithë shqiptarëve të cilët me zemër dhe me shpirt dënojnë pa rezerva këtë qeveri, e cila do shkruhet në muret e kohërave si qeveria më antishqiptare, më hajdute që ka njohur ndonjëherë kombi shqiptar.
Unë u sjell këtu ju përshëndetje të përzemërta nga udhëheqja e internacionales së qendrës demokrate, përfaqësues të 115 partive të qendrës së djathtë në të katër kontinentet.
Vij sot nga Brazili, nga San Paolo, për t’u garantuar ju se kemi miq më shumë se kurrë.
Se ju, demokrate e demokratë, opozitare e opozitarë shqiptarë, në betejën me të keqen që përballemi, nuk jemi vetëm, por jemi me mbështetje të madhe dhe të fuqishme nga njerëzit e lirë, nga njerëzit që duan lirinë dhe të vërtetën në mbarë botën.
Me këtë rast unë dua të shpreh mirënjohjen më të thellë të gjithë juve këtu.
Ai nderim që më bëri internacionalja demokrate e qendrës, duke më zgjedhur në postin e lartë të zëvendëspresidentit të saj është nderim për sakrificat tuaja, është nderim për qëndresën tuaj, është nderim për guximin tuaj, është nderim për mbrojtjen që u keni bërë vlerave të lirisë, të demokracisë, të familjes, vlerave të përbashkëta për mbarë njerëzit e lirë në botë.
