“FRESKOHET” KUSHTETUESJA/ Asim Vokshi pas betimit tek Presidenti: I shërbej Kushtetutës me përpikmëri

Asim Vokshi nisi zyrtarisht detyrën si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, ku zëvendëson kryetaren aktuale Holta Zaçaj që po sot përmbylli mandatin zyrtarisht, duke shënuar kështu nisjen e zëvendësimeve brenda majës së piramidës së drejtësisë. Në reagimin e parë Vokshi tha se do të mbrojë kushtetutën, ndërsa Zacaj bëri një bilanc të punës duke theksuar sfidat

Nga kjo e martë, Gjykata Kushtetuese ka anëtarin e saj të ri, Asim Vokshin, i cili u betua me dorën mbi Kushtetutë para Presidentit.

Asim Vokshi u ngjit në majë të piramidës së drejtësisë shqiptare si përfaqësues i Gjykatës së Lartë, përmes një procesi që shkaktoi përplasje institucionale dhe ligjore, por që tashmë është mbyllur përfundimisht.

Menjëherë pas betimit, ai nisi mandatin 9-vjeçar si anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe dha mesazhin e tij të parë publik.

Asim Vokshi zëvendëson në këtë detyrë Holta Zaçajn, mandati i së cilës përfundoi më 15 mars, ndërsa dorëzimi zyrtar i detyrës u krye këtë të martë.

Në mesazhin përmbyllës të mandatit, Zaçaj theksoi se Gjykata është përballur me vendimmarrje të rëndësishme.

ZAÇAJ: “Përgjatë periudhës 2023–2025, Gjykata Kushtetuese është përballur me vendimmarrje me rëndësi të veçantë, të cilat kanë dëshmuar edhe një herë rolin e saj të pazëvendësueshëm si garante e Kushtetutës.”

Me emërimin e Asim Vokshit nis edhe rrotacioni i tre anëtarëve të GJK, ku tashmë Presidenca dhe Parlamenti duhet të zgjedhin secili nga një anëtar për të zëvendësuar Sonila Bejtën dhe Elsa Toskën.

Përgjatë periudhës 2023–2025, Gjykata Kushtetuese është përballur me vendimmarrje me rëndësi të veçantë, të cilat kanë dëshmuar edhe një herë rolin e saj të pazëvendësueshëm si garante e Kushtetutës.