"E papranueshme"/ Shpallja "non grata" në Greqi e Artan Hoxhës, Bido: Përbën ab*zimin më të madh me vlerat evropiane
Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido ka reaguar ashpër, pasi gazetari investigativ Artan Hoxha u shpall "non grata" në Greqi. Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Bido thekson se sulmi ndaj gazetarëve përmes shpalljes “non grata” përbën abuzimin më të madh me vlerat evropiane. Bido thekson ndër të tjera se është e papranueshme që në shekullin e 21-të, autoritetet e një shteti evropian të vijojnë të ndikohen nga grahmat e fundit të nacionalizmit.
"Ndalimi i Artan Hoxhës në kufirin shqiptaro-grek përbën rastin e dytë në pak vite që gazetarët shqiptarë ndalohen në kufi për shkak të raportimit dhe të bindjeve të tyre. Është e papranueshme që në shekullin e 21-të, autoritetet e një shteti evropian të vijojnë të ndikohen nga grahmat e fundit të nacionalizmit. Kërkimi i të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë, përballja me nacionalizmin politik të fenomeneve Agimi i Artë, Beleri etj., si dhe mbrojtja e të drejtave kombëtare të shqiptarëve, nuk janë opsion, por detyrim i çdo gazetari dhe i çdo shqiptari. Ndaj, sulmi ndaj tyre, përmes shpalljes “non grata” përbën abuzimin më të madh me vlerat evropiane," shkruan Bido.
