Partizani e Vllaznia ndajnë nga një pikë, Flamurtari e Tirana i prishin punë njëra-tjetrës me ''X''-in në duelin e mbijetesës

Flamurtari dhe Tirana u ndanë në barazim 1-1 në ndeshjen e zhvilluar në Vlorë, një rezultat që nuk i shërben realisht asnjërës prej skuadrave.

Statuskuoja në fundin e tabelës mbetet e pandryshuar dhe të dyja ekipet vazhdojnë të jenë të zhytura në një krizë të thellë, duke luftuar fort për mbijetesë.

Vlonjatët mbeten në vendin e parafundit me nëntë pikë, ndërsa Tirana vijon të mbajë vendin e fundit me shtatë pikë, dy më pak se kuqezinjtë e bregdetit.

Sa i përket kronikës, në minutën e 37’ Diavara shërben bukur për Maksutin, i cili merr topin, depërton në zonë dhe finalizon me saktësi ndaj Tafasit.

Bardheblutë protestuan gjatë për një faull të mundshëm, por arbitri, pas konsultimit me VAR-in, e konsideroi golin të rregullt, 1-0 për Flamurtarin

Barazimi i Tiranës erdhi në minutën e 75’: Zhunior tregon aftësi individuale në zonën e rreptësisë, krijon hapësirë dhe godet fort, duke mposhtur Aleksovskin.

Edhe këtu pati pretendime, por goli u konsiderua i rregullt pas verifikimit në VAR.

Pjesa e mbetur e ndeshjes solli më shumë nerva dhe pak lojë të ndërtuar, teksa të dyja ekipet kërkonin fitoren, por pa arritur të gjenin golin e dytë.

Barazimi i lë Flamurtarin dhe Tiranën në pozitë shumë delikate në fund të klasifikimit, me presionin që rritet në javët e ardhshme. Lufta për mbijetesë sapo është ndezur dhe çdo pikë mund të jetë vendimtare.

Ndërkohë në ndeshjen tjetër Partizani dhe Vllaznia kanë regjistruar sot një barazim 1-1 në “Arenën e Demave” ne një ndeshje shumë të bukur, sidomos në pjesën e dytë, ku në fund asnjë nga skuadrat nuk u duk e kënaqur me këtë rezultat.

Të kuqtë krijuan më shumë raste në pjesën e parë dhe ishin të parët në avantazh me Tomën.

Në pjesën e dytë, Vllaznia e nisi me vrull dhe tentoi të gjente golin, duke ia arritur qëllimit me Malën.

Më pas loja u bë e hapur, me raste nga të dy portat, ku sidomos Pohls me disa pritje vendimtare shpëtoi shpesh katërkëndorin e tij.

Në fund, vërshëllima e gjyqtarit Cjapi pa të dy skuadrat të dilnin thuajse të mërzitura nga e fusha e lojës pas nuk morën dot pikët e plota në këtë duel.