NË GATISHMËRI PËR PËRMBYTJET/ Qetësohet disi moti i keq të mërkurën, banorët përballen me pasojat! Raportohen dëmtime tokat, bllokime rrugësh e probleme me energjinë

Edhe pse situata e motit të keq është qetësuar disi këtë të mërkurë, por shumë zona të vendit vijojnë të përballen me pasojat dhe dëmet e shkaktuara nga reshjet intensive. Përmbytje, dëmtime kulturash bujqësore, bllokime rrugësh dhe probleme me energjinë elektrike raportohen në disa qarqe të vendit, teksa autoritetet ndodhen në terren për normalizimin e situatës.

Duket se situata me motin e keq është qetësuar disi ditën e sotme, por shumë zona të vendit janë duke u përballur me pasojat dhe dëmet.

Reshjet e forta ditën e djeshme në njësinë adminsitrative Mamurras kanë sjellë probleme të shumta në kulturat bujqësore, nga dalja e lumit Drojë.

Ata tregojnë dëmet që ka shkaktuar uji edhe për bagëtitë.

Ditën e sotme niveli i ujit në shtratin e lumin ka rënë dhe një pjesë e mirë e ujit është larguar nga tokat.

Autoritete në këtë njësi adminsitrative kanë mundësuar një sërë mjetesh me inerte në bllokimin e argjinaturës ku jane shfaqur probleme gjatë ditës së djeshme që sollën përmbytje.

Probleme janë konstatuar edhe në shumë qarqe të tjera të vendit ku po punohet për normalizimin e situatës në zonat e prekura nga moti i keq, sigurimin e akseve rrugore dhe rikthimin e energjisë elektrike.

Në Qarku Lezhë po vijon puna për sigurimin e kalueshmërisë në segmentin rrugor Skuraj–Gallatë, në njësinë administrative Milot, si dhe në njësinë administrative Kaçinar, ku ura në fshatin Shpërdhezë u dëmtua nga reshjet me intensitet të lartë.

Në Durrës, në njësitë administrative Sukth, Katund i Ri dhe Ishëm është drejt normalizimit; ujërat janë tërhequr nga zonat e prekura, nNiveli i ujit në lumenjtë Erzen dhe Ishëm është brenda kuotave normale.

Në segmentin rrugor Gjirokastër–Tepelen, ka prani të shtuar ujërash, në urën e Kardhiqit dhe në rrethrrotullimin e urës së lumit në qytetin e Gjirokastrës.

Vijojnë punimet edhe për pastrimin e inerteve në segmentin rrugor Elbasan–Peqin, në vendin e quajtur “Murraç”, si dhe në segmentin Elbasan–Librazhd.

Situatë problematike shfaqet edhe me prurjet e Vjosës që janë shtuar ndjeshëm dhe rrezikojnë të përmbytin një pjesë të zonave ku kalon. Prurjet e lumit po rriten nga ora në orë dhe janë bërë thirrje banorëve pranë rrjedhës së lumit që të marrin masa për evakuime, teksa po monitorohen prurjet.

Ekipet e OSHEE-së po vijojnë punën për rikthimin e furnizimit me energji: në fshatrat Skuraj, Vinjollë dhe Gallatë, në qarkun e Lezhës, në njësitë administrative Topojan, Shishtavec, Zapod, Bytyç dhe Lekbibaj, në qarkun e Kukësit, në njësitë administrative Hajmel dhe Vig–Mnelë, si dhe në Iballë dhe Qafë-Mali, në qarkun e Shkodrës, në zonën Maricaj, Memaliaj, në qarkun e Gjirokastrës.