Del nga shtrati lumi Drojë në Mamurras/ Banorët: Niveli i ujit ishte i frikshëm, dëme në bagëti dhe në mjetet bujqësore (PAMJE)

Reshjet e dendura gjatë ditës së djeshme kanë sjellë probleme në kultura bujqësore, pikërisht në Njësinë Administrative Mamurras.

Shkaku i përmbytjeve në fshatin Drojë ishte dalja nga shtrati i lumit Drojë, e cila shkaktoi përmbytje dhe dëme në kulturat bujqësore. Banorët kanë treguar se niveli i ujit ishte i frikshëm, duke rrethuar banesa, duke sjellë dëme në bazën ushqimore të bagëtive dhe dëme në mjetet bujqësore.

Situata në ditën e sotme është më e qetë; niveli i ujit në shtratin e lumit ka rënë, edhe pse në disa parcela ka ende prani uji.

Gjatë ditës së djeshme, mjetet e Bashkisë Kurbin kanë mundësuar përforcimin e pjesës së argjinaturës së dëmtuar.

Mark Kabali, kryetar i fshatit Drojë, ka deklaruar se autoritetet e Bashkisë Kurbin kanë mundësuar përdorimin e një sërë mjetesh me inerte për të bllokuar argjinaturën në zonat ku u shfaqën probleme gjatë ditës së djeshme, të cilat shkaktuan përmbytjet.