Moti i keq, OSHEE: Të gjitha linjat funksionale, brigadat vijojnë monitorimin në terren

Gjatë 48 orëve të fundit, brigadat e OSSH-së (Operatori i Sistemit të Shpërndarjes) kanë qenë në terren pa ndërprerje për të garantuar furnizimin emergjent me energji elektrike në të gjitha zonat e prekura nga kushtet e motit me shi të dendur dhe erë të fortë.

OSHEE njofton se aktualisht të gjitha linjat 35 kV, nënstacionet si dhe fiderat 20/10/6 kV që furnizojnë me energji elektrike hidrovorët, janë plotësisht funksionalë.

Ky funksionim i pandërprerë siguron vazhdimin e punës së pompave të ujit, të cilat janë thelbësore në parandalimin e përmbytjeve në disa zona të ulëta të vendit.

Brigadat e terrenit vijojnë monitorimin e situatës dhe ndërhyrjet e menjëhershme atje ku paraqiten probleme, me qëllim garantimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike për qytetarët dhe infrastrukturën kritike.