EMRI+FOTO/ Vr*u dy shokë 28 vite më parë, Prokuroria e Tiranës kërkon 25 vite burg për ish-policin

Prokuroria e Tiranës kërkon 25 vite burg për ish-policin Tomorr Çela, i cili në vitin 1997 vrau dy shtetas pas një debati për përplasjen e makinave

Prokurori pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, kërkon dënimin me 25 vite burg të shtetasit T.Ç. për veprën penale “Vrasje me paramendim” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78, pika 25 e Kodit Penal.

Nga hetimet mbi procedimin penal nr. 2103 të vitit 1997, rezulton se i pandehuri T.Ç. ka punuar si punonjës policie në Komisariatin e Policisë Nr. 4 Tiranë, detyrë nga e cila është liruar më datë 15.06.1997. Gjatë kohës që ka qenë në detyrë, ai ka qenë i pajisur me armën automatike model Kallashnikov, të cilën nuk e ka dorëzuar, por e ka mbajtur në banesë pa leje të organeve kompetente.

Ky shtetas, më datë 27.11.1997 rreth orës 20:30, në lagjen nr. 9, rruga B. Curri, ka qëlluar me armë zjarri automatike ndaj viktimave shtetasve L.H. dhe E.D., duke u shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Viktimat në momentin e vrasjes kanë qenë duke udhëtuar me një mjet tip autoveturë Volvo. Pas kryerjes së vrasjes, i pandehuri T.Ç. është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.

Gjatë hetimit të këtij procedimi penal nuk është përcaktuar qartë shkaku i ndodhjes së kësaj ngjarjeje të rëndë me pasojë vrasjen e shtetasve E.D. dhe L.H. Nga sa del nga ligji gjatë gjykimit, rezulton se i pandehuri T.Ç., tre katër ditë para ngjarjes, duke drejtuar një mjet tip Benz Mercedes 240, është përplasur me autoveturën ku udhëtonin shtetasit L.H. dhe E.D., ku për pasojë janë dëmtuar të dy mjetet.

Pas aksidentit, i pandehuri është konfliktuar me shtetasit E.D. dhe L.H., dhe më pas, duke mos u dakordësuar në lidhje me dëmet e shkaktuara, ka lindur kontradikta që ka çuar në ndodhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë me pasojë vrasjen e shtetasve L.H. dhe E.D.

Nga aktet e administruara në dosje rezulton se i pandehuri i është shmangur hetimit dhe gjykimit të çështjes në ngarkim të tij. Nga ana e të pandehurit nuk është paraqitur asnjë shenjë pendese për veprën e kryer, vrasjen e dy shtetasve që kanë qenë në moshë të re.

Duke pasur parasysh rrethanat e çështjes dhe sanksionin që parashikon ligji për këtë vepër penale, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, kërkon deklarimin fajtor të të pandehurit T.Ç. për veprën penale “Vrasje me paramendim” në dëm të shtetasve E.D. dhe L.H., dhe dënimin e tij me 25 vite burg.