PAMJET/ ARRSH: Rrugët kombëtare të kalueshme, probleme në disa akse dytësore
Reshjet e dendura gjatë natës kanë shkaktuar probleme në disa akse rrugore të vendit.
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) njofton se prurjet e mëdha të ujit, inertet dhe dëmtimet në infrastrukturë janë më të theksuara në qarqet Gjirokastër, Sarandë dhe Tropojë, ku situata paraqitet më problematike.
ARRSH bën të ditur se kontraktorët kanë qenë në terren pa ndërprerje me mjete dhe punëtorë, duke punuar për pastrimin dhe riparimin e akseve të prekura.
Aktualisht, të gjitha akset kombëtare janë të kalueshme, me përjashtim të segmentit Kranë–Muzinë, i cili është i bllokuar për shkak të përmbytjes nga lumi Bistrica.
Akset me probleme dhe situata përkatëse:

Bajram Curri–Valbonë / Dushaj–Lekbibaj / Bajram Curri–Fierzë – Shkëputje masivësh shkëmborë dhe çarje muresh pritës; qarkullimi ka vijuar.
Kukës–Krumë / Kukës–Shishtavec – Rënie materialesh; qarkullimi nuk është ndërprerë.
Skuraj–Burrel – Rënie gurësh; kalohet me një korsi në disa segmente.
Koplik–Bogë / Dedaj–Razëm / Bogë–Theth – Rënie materialesh; segmentet janë pastruar.
Koplik–Reç – Gërryerje bankinash; kërkon ndërhyrje të menjëhershme.
Hani i Hotit–Vermosh – Rënie materialesh; pastruar, qarkullim normal.
Librazhd–Qafë Thanë – Rëzim pemësh; janë larguar.
Qukës–Qafë Plloçë – Rënie gurësh dhe inertesh në trup të rrugës.
Elbasan–Peqin – Dalje aluvionesh; të pastruara.
Kakome–Himarë – Rënie dherash; puna për pastrimin vazhdon, aksi është i hapur.
Gjirokastër–Kakavijë (Lazarat) – Vështirësi nga ujërat dhe inertet; po pastrohet.
Himarë–Qafë Gjashtë (Lukovë) – Rrëshqitje dherash.
Shijan–Ura e Gajdarit – Lumi Kalasë ka dalë në rrugë.
Shijan–Delvinë – Ujë dhe inerte të shumta në segment.
ARRSH apelon për kujdes të shtuar në qarkullim dhe vijon monitorimin e situatës deri në normalizimin e plotë të kushteve atmosferike.

