Guxo të ikësh nga tufa, t'i përkasësh vetes
"Jashtë nga tufa", "Shkëputja" ose "Ikja", është një pikturë që i përket surrealistit magjik, Tomasz Alen Kopera, 1976.
Kjo vepër arti, me shumë se tregon vizualisht, është thellësisht dhe gjëmimshëm një zë që e mbyt zhurma e tufës.
Të kuptuarit të saj si një shprehje e filozofisë së çlirimit, është të trajtuarit të artit të polakut, Thomasz Kopera, një masë që i kundërvihet rregullit. Idekoncepti estetik rreket të tregojë sasinë e dhimbjes dhe vuajtjes që kalon një individ kur përpiqet të shkëputet nga kultura e tufës, në të cilën beson shumica e shoqërisë, ose së cilës i përket.
Pavarësisht aspiratave dhe kapaciteteve, individi është shpesh viktimë dhe pjesë e tufës. Të jesh një nga ata, ndoshta nuk ishte opsioni i duhur, por shpesh të qenit ndryshe, të kërkuarit dika tjetër, të guxuarit, është pamjaftueshëm çfarë të duhet të shkëputesh, të ndahedh, të jesh çfarë zgjedh jo çfarë të diktohet.
Më shumë se ligjësi është kultura e tufës që imponon nevoja për të mos qenë vetëm, për të pamundësuar të kërkosh më shumë nga vetja dhe mjaftuar me çfarë ke racion nga tufa.
Ndoshta të mbetet një, vetëm një zgjedhje, të kesh edhe ti fatin e të gjithëve, atë të mëshirës së tufës.
Nuk t'u kërkua, por këtë pranove. Doje më shumë, por të mjaftoi kaq. E pate më të lehtë të vijoje të ishe një fëmijë i bindur, se sa të kërkoje rebelin që pamjaftohej gjithnjë me sa ju tha se meritonte.
Socialiteti dhe solidariteti, jo pak herë e trajtojnë një vullnet në mjet, mekanizëm i shfrytëzimit dhe tjetërsimit.
Je, një nga ata, vetëm aq, asgjë më shumë. Kjo zgjedhje është një zgjedhë, ku ti lejon të trajtohesh si skllav i diktatit të shumicës.
Edhe pse je gjithnjë i pakënaqur, mospajtues, ke pak gjasa ta kuptosh nevojën për reagim, për shkëputje nga tufa.
Gjithçka të duket e pamundur jashtë këtij qerthulli. Më e lirë se çdo liri, është ky robërim, që t'i mundëson të gjitha dhe nuk të jep më shumë se aq sa duhet për të të mbajtur në tufë.
Përtej nuk ka asgjë. Sepse tufa t'i gllabëron të gjitha, për të të dhënë aq, duke të të mësuar dhe urdhëruar se si për çdo gjë.
Të ikësh ndoshta nuk ia vlen, ose e ke të pamundur, ngase tufa zogjve u thyen krahët, u pret thonjtë, u nxjerr sytë. Ishe i vogël, i pamundur, i tufëzuar.
Sa më gjatë tu desh të rriteshe, aq më pak të mbeteshin fuqi t'ia mbathësh, të ikësh.
Ti tashmë kupton se nuk i përket vetëm vetes, sa çi përket tufës.
Jeton si ata, keni të gjithë të njëjta ëndrra, çdo ditë ju pret dhe përcjell i njëjti realitet, mendoni dhe flisni për të njëjtat gjëra, silleni njësoj, visheni njëjt, ushqeheni gjithashtu sipas të njëjtes meny, ndani të njëjtat shije dhe botkuptim.
Jeni gjithçka të tjerët janë, pa mundur për më shumë. Nuk jeni prodhim serie, por nuk dilni dot nga formati i fabrikimit.
Kur ti kupton se nuk je numër, nuk je si gjithë të tjerët, dhe vetja jote meriton një tjetër mundësi, guxon, ndoshta më shumë se mundesh të ikësh, të dezertosh, të shkëputesh nga tufa, siç piktori, Thomasz Kopera të këshillon.
Dhe... do ta kesh të vështirë, por jo të pamundur.
Vetëm kur të jesh më shumë se njësi, të jesh identitet dhe integritet, pranon dhe beson se është heroike të përballësh i vetëm me të zgjedhurit të jesh vetja jashtë mureve ku tufa mban të kyçur ata që i japin kuptim tufës.
Në fund të fundit secili nga ne është i projektuar si individ dhe si i tillë, është ky përcaktim që nënshkruan se çfarë ti je. Nëpërmjet këtij individualiteti përcakton vlerat dhe rolin që do të keni në shoqëri, si individ dhe jo si tufë.
Mund të jesh pjesë e së tëres, por pa lejuar që tërësia të të bëjë masën e vet homogjene.
Kurrë nuk është vonë t'i rrëmbesh lirisë të drejtën për të zgjedhur të jesh vetja në liri. Prano me dinjitet dhe kurajë për t'u ndeshur.
Të ikësh nga tufa nuk është zgjidhja më e mirë, por mundësia që i jepni vetes të jeni vetëm përballë fatit tënd, i pranueshëm.
Ik, shporru, mbathja, dështak, frikacak... ndoshta nuk i keni dëgjuar gjithëkëto, por për tufën ai je. Dhe... vetëm kur të shkëputesh prej vargonjve të saj, vetëm atëherë kupton se sa shumë ke humbur dhe se sa shumë më shumë të duhet të triumfosh.
Mund të mos arrish çfatë të jep tufa, por gjithçka është dhe do të ketë vulën e çmendurisë tënde të urtë që ta garanton, jo të qenit i lirë, se sa të jetuarit në liri.


