Ovacione për baletin “La Sylphide” në TKOB

Duartrokitjet e zjarrta të publikut mbyllën natën e dytë të baletit magjik “La Sylphide”.

Mbrëmjen e se martes ishin të tjerë balerinë të cilët shkëlqyen me performancën e tyre në skenën e TKOB-së. Në rolin e La Sylphide vallëzoi Eles Resuli, si Effie erdhi Jonida Qafmolla, James-in e interpretoi Anxhelo Muçollari, Madge u interpretua nga Alisa Gjoni. Ndërsa Orkestra Simfonike e TKOBAP u drejtua nga i mirënjohuri Gridi Kraja.

Drejtori i Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit, Aulon Naçi, reagoi në rrjetet sociale për natën e shkuar duke e konsideruar magjike.

“Baleti “La Sylphide” dhuroi emocione të ngrohta plot ngjyra vjeshte. Salla e mbushur plot me artdashës duartrokiti me ovacione të mëdha trupën e baletit të Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor” shkroi Naçi.

Ovacione për baletin “La Sylphide” në TKOB

“La Sylphide”, një nga veprat më romantike të repertorit klasik botëror, është një histori dashurie e pamundur, mes një djali dhe një krijese fantazie. Historia, si një përrallë, zhvillohet mes realitetit e ëndrrës, shoqëruar nga një muzikë e magjishme dhe koreografi plot delikatesë.

Në Skocinë e vitit 1836, në një atmosferë të mbështjellë nga mjegulla dhe misteri, James, një djalë i ri skocez, është gati të martohet me Effie, por një krijesë nga pylli i shfaqet fillimisht në ëndërr dhe më pas në realitet, duke e magjepsur me bukurinë e saj.

Sonte, trupa e TKOBAP do të japë shfaqjen e fundit të “La Sylphide”.