Lec Shllaku, “Artisti i Popullit” që la shenjë në teatër dhe kinematografi
104 vjet më parë, më 3 nëntor 1921, lindi Lec Shllaku “Artist i Popullit”, regjisori i mirënjohur i Teatrit “Migjeni” të Shkodrës.
Shkodra e kujton Lec Shllakun si një ndër figurat më fisnike dhe më të përkushtuara të skenës shqiptare, njeriun që i dha artit zemër, frymë dhe identitet.
Leci shkollën fillore e kreu në “Shkollën Fretnore” ndërsa tre vitet e para të shkollës së mesme i mbaroi në gjimnazin “Illyricum”, si kolegjial, ndërsa klasën e fundit, në shkollën “28 nëntori”. Më pas ndoqi Institutin Pedagogjik të Shkodrës e më tej, Universitetin e Tiranës për Gjuhë-Letërsi. Punoi dy vjet në Tiranë në Teatrin Qendror të Ushtrisë e më vonë si regjisor në Shkodër, nga viti 1951 dreri në fillim të vitit 1960.
Në vitin 1962 hapi dhe drejtoi teatrin profesionist “Skampa” të Elbasanit. Aty qëndroi për 10 vjet dhe vuri në skenë dramat: “Linda”, “Njeriu që pa vdekjen me sy”, “I pesti u zu gjallë”, “Udha e gjatë”, “Udha e zavalinajve”, “Firmat e vogla”, “Skënderbeu”, “Shqetësimet e Sokratit”, “Rrethimi i Bardhë”, etj.
Me talentin, përkushtimin dhe ndjeshmërinë e rrallë, Lec Shllaku u bë një nga kolonat e teatrit dhe kinemasë shqiptare, një aktor që nuk luante vetëm role, ai i jetonte ato, i shndërronte në ndjenjë dhe i çonte drejt publikut me një sinqeritet që sot është e vështirë të gjendet.
Përveç skenës teatrore, ku dha ndihmesë si regjisor dhe dramaturg, Leci interpretoi në shumë filma artistike: “Skënderbeu”, “Para agimit”, “Plumba Perandorit”, “Ngadhënjim mbi vdekjen”, “Qortimet e vjeshtës”, “Larg barbarëve”, “Yjet e netëve të gjata” etj.
La mjaft vepra, dorëshkrime, punime artistike, romane, tregime, novela, monografi, kujtime. Në pesë vitet e fundit të jetës botoi 7 libra, ndër të cilët librin me përshtypje udhëtimi: “Dy hapa në Perëndim”, i cili është botuar në italisht dhe greqisht. Për kontributin dhe vlerat që dha, Lec Shllakut i është akorduar titulli “Artist i Popullit” dhe nga Bashkia Elbasanit titulli “Qytetar Nderi”.

