EKSPOZITA/ “Magjia e vizatimit” në FAB do të vijojë, Gazmend Leka: Do jetë edhe 10 ditë të paktën

Ekspozita e Gazmend Lekës, “Magjia e vizatimit” vijon të magjepsë vizitorët e galerisë FAB.

Vetë artisti në studion e lajmeve në “Ora News” u shpreh se krijimet magjike do të presin artdashësit të paktën edhe 10 ditë të tjera.

“Do ta shtyj ekspozitën edhe 10 ditë të tjera të paktën”, u shpreh Leka.

Artisti u shpreh se vizatimi është shumë “i ngjitur” me njeriun dhe historinë e njerëzimit.

“Vizatimi e ka magjinë në vetvete, ku mungon efekti shkak-pasojë dhe ti pyet veten, si erdhi kjo, si doli kjo?”, thotë Gazmend Leka.

Leka ka rrëfyer se vizatimet e kësaj ekspozite kishin nisur 3 vjet më parë dhe se ai, si një pedagog prej vitit 1991, në Universitetin e Arteve, i pa studentët e tij si një shtysë për t’i ekspozuar punët në Galerinë e Fakultetit të Arteve të Bukura (FAB).

Për ekspozitën “Magjia e vizatimit”, piktori Leka ka përzgjedhur rreth 60 vizatime të përmasave të mëdha dhe 15 të vogla.

“Kësaj radhe vendosa që të bëj një ekspozitë të plotë me vizatimin, gjë që e kam bërë herë pas here, çdo 10-vjeçar dhe vendosa ta bëja këtë, sepse duke punuar çdo ditë me pikturat m’u grumbullua një sasi e madhe, mendova ta bëj pasi ka ardhur momenti, sepse vjen momenti që monologun do ta kthesh medoemos në dialog.

Ndryshe lodhesh duke folur me veten tënde. Mua më shijoi shumë kur rashë tek ky titull, sepse njerëzit janë të rrethuar me një lloj aureole dhe mistike, janë mësuar dhe për të thënë që kjo nuk është një gjë e zakonshme.

Ndaj doja ta vendosja vizatimin në pozicionin që meriton. Sa i përket vizitorëve, në përgjithësi kur dëgjon që nuk ka publik, kjo nuk është e vërtetë.

Publiku i Tiranës është një publik shumë i interesuar për artin, galeria jonë qëndron plot sa hapet ekspozita, janë njerëz që edhe pse nuk kanë një informacion shumë të madh nga shkollat, por janë shumë të pëlqyeshëm në raport me ty, janë shumë të pëlqyeshëm në raport me mendimin e tyre për artin, të thonë mendime shumë të vyera edhe aty ku nuk e pret.

Kështu që unë kam qenë shumë i kënaqur, u bënë dy javë që e kam hapur ekspozitën, do ta shtyj edhe 10 ditë të tjera, por ka pasur një fluks shumë të madh”, u shpreh ndër të tjera piktori Gazmend Leka.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME ARTISTIN GAZMEND LEKA