Historia e vëllait 13-vjeçar që ju desh të ishte nënë dhe baba për binjaket e sapolindura nga nëna që u largua pa mundur të ishte për ta nënë

 Historia e vëllait 13-vjeçar që ju desh të ishte

Nëna e tyre ndërroi jetë në çastin kur duhej të hapi derën e jetës për dy vajzat e porsalindura. Vdekja zbriti në dhomën e ftohtë si një re e rëndë, duke lënë pas dy foshnja që qanin me zërat e tyre të brishtë, dhe një djalë trembëdhjetëvjeçar që nuk kishte më kë të thërriste “nënë” e “baba”.

Thomas Whitaker kishte tetë muaj që mbante zi për të atin, dhe tani, universi i tij përsëritej në një boshësi edhe më të thellë: ai ishte bërë papritmas i vetmi mur mes dy jetëve të njoma dhe pamëshirës së botës.

Ai i mori në krahë pa e ditur se si mbahet një jetë, e aq më pak dy. Netëve të gjata, kur era gërryente muret e drunjta dhe e ftohta hynte deri në kockë, Thomas i përkundte, u pëshpëriste ninulla që s’i kishte mësuar askush, fjalë të shpikura në mes të një dëshpërimi që kërkonte shndërrim në ngrohtësi. Ai ishte vetëm një djalë, por sytë iu mbushën me një lloj vetmie që vetëm burrat e vjetër njohin, ajo vetmi që i mëson njeriut sa peshon dashuria, kur është e vetmja gjë që i ka mbetur.

Ndërsa bota jashtë vazhdonte, njerëzit shkonin në punët e tyre, tregu ngrihej e mbyllej, koha rrotullohej si gjithmonë, por Thomas mbeti aty, i pandryshuar, i lidhur fort pas dy zemrave që rrihnin në duart e tij, si dy zogj të trembur që nuk dinin fluturim tjetër përveç atij të dashurisë së tij.

Dhe filloi luftën e tij të nënshtruar, të paemërtuar, luftën që fëmijët nuk duhet ta njohin kurrë. Ai ngarkonte kova me ujë nga lumi, mblidhte dru, pastronte stallat e të tjerëve për pak monedha, kërkonte çdo punë që do të sillte pak qumësht për foshnjat dhe pak bukë për veten. Duart iu çanë, thonjtë iu mbushën me baltë, shpina iu përkul para kohe, por ai ecente. Uria e kafshonte si bishë, por ai nuk e lejonte të fitonte. Çdo ditë ishte beteja e tij; çdo natë, triumfi i heshtur që ai nuk e tregonte kurrë.

Fshatarët e sodisnin me një lloj trishtimi dhe pyetjeje, si mund të mbante pesha të tilla një djalë kaq i vogël, si mund t’ia dilte ai? Ata tundnin kokën me keqardhje, por Thomas nuk e njihte luksin e vështrimeve të të tjerëve. Ai kishte betuar veten, pa e thënë me zë, se asgjë nuk do t’i mungonte atyre vajzave sa të ishte ai gjallë. Detyra e tij kishte rrënjë më të thella se dyshimi, dhe dashuria e tij ishte më e madhe se çdo frikë që mund t’i zinte frymën.

Vitet kaluan, dhe shtëpia që dikur ishte një strehë e hijes u ringjall me të qeshurat e fëmijëve. Vajzat u rritën të shëndetshme, me sytë plot dritë dhe me buzëqeshjen që ngjizej nga siguria. Aty ku kishte patur një heshtje mortore, tani dëgjoheshin hapa të lehtë, lojëra, zëra. Dhe në çdo tingull të gëzimit të tyre, fshihej mundimi i Thomas-it, ai kurrë nuk kërkoi pushim, kurrë nuk i mbylli dyert mbi përgjegjësinë, kurrë nuk e kërkoi fëmijërinë që ia kishin marrë.

Kur u bë i ri, këmbët i qenë forcuar nga vitet e sakrificës, ndërsa zemra i ishte bërë e madhe sa dyfishi i dashurisë që kishte shpëtuar. Vajzat binjake mbartnin në shpirtin e tyre diçka më shumë se kujtimet e një jete të vështirë; ato kishin trashëguar një legjendë të gjallë, një heroizëm të heshtur, një vëlla që u bë baba, nënë dhe mburojë.

Sa prej nesh do të mund ta përballnin një fat të tillë në moshën 13-vjeçare? Sa prej nesh do të kishin guximin të rrisnin dy jetë me duart e gjymtuara, me zemrën e lodhur, me shpresën e pakët, e megjithatë të mos lëshonin kurrë? Historia e Thomas Whitaker-it nuk është thjesht një tregim jetimësh, është një himn për forcën e njeriut, për dashurinë që mbijeton mbi rrënojat e fatit, dhe për vullnetin që nuk thyhet as kur bota shembet rreth e rrotull.

Përgatiti: Albert Vataj