Pipa: Promovim i librit në format digjital, pasurim i bibliotekave vendore me tituj të rinj
Zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Lira Pipa ndërsa paraqiti sot ndryshimet në projektligjin për librin në Komisionin e Ligjeve të Kuvendit, u shpreh se nisma synon të vendosë themelet e një politike të qëndrueshme për zhvillimin e kulturës së leximit, përmirësimin e qasjes publike në dije si dhe modernizimin e infrastrukturës ligjore që rregullon sektorin e botimeve dhe shpërndarjes së librit në Shqipëri.
“Libri është pasuri kombëtare, një instrument edukimi, emancipimi dhe zhvillimi dhe për këtë arsye, përmes këtij projektligji, ne synojmë të forcojmë mekanizmat e mbështetjes për autorët, botuesit e lexuesit, duke e kthyer librin në prioritet të politikave të kulturës”, u shpreh Pipa.
Zëvendësministrja tha se, ligji aktual nuk i përgjigjet më zhvillimeve të kohës, ndryshimeve në treg dhe nevojës për përshtatje digjitale. Ajo shtoi se, ka lindur nevoja e forcimit të rolit të institucioneve kombëtare siç është Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL) duke e bërë të domosdoshme ndërhyrjen ligjore për rishikimin e disa dispozitave të ligjit ekzistues.
Projektligji i propozuar synon që duke iu përgjigjur kontekstit aktual të zhvillimit të teknologjisë dhe digjitalizimit në fushën e botimeve, të reflektojë ndryshimet në terminologjinë juridike dhe të nxisë aksesin tek libri në çfarëdolloj forme.
Disa nga objektivat kryesore të këtij projektligji janë: nxitja e leximit dhe promovimi i librit shqip brenda dhe jashtë vendit përmes pjesëmarrjes në panaire ndërkombëtare dhe evente letrare në vend, promovimi i librit në format digjital, mundësimi i leximit dhe për persona me dëmtime në shikim, sigurimi i gjithëpërfshirjes nëpërmjet rritjes dhe qartësimit të kompetencave të institucioneve përgjegjëse siç është QKLL, garantimi i pasurimit të përvitshëm me botime të reja të fondit libror të bibliotekave vendore të cilat do të kenë buxhet të patjetërsueshëm për pasurimin e fondit, etj.
Ndryshimet e propozuara në Ligjin për Librin në Republikën e Shqipërisë, nuk shoqërohen me kosto financiare specifike por në tavanet buxhetore të institucioneve, në parashikimet e tyre për buxhetin e vitit të ardhshëm do të ketë një fokus të veçantë posaçërisht për fondin e librit dhe pjesëmarrjes në panaire të ndryshme.
