Ngjarja e Beratit, fëmijët dëshmitarë të tmerrit! Mane: Trauma është shumë e thellë e me ndikim të madh në të ardhmen

Psikologia Graciela Mane e ftuar në një intervistë në “Ora News” foli mbi ngjarjen e rëndë në Berat që tronditi opinionin publik, ku brenda Kalasë një 42-vjeçar u qëllua për vdekje me thikë para syve të gruas dhe vajzës së tij

Autori, Kristo Mema, 63 vjeç, ka treguar se konflikti nisi pas një paralajmërimi që i bëri viktimës që të mos e prekte kalin e tij, që e përdorte për të shëtitur turistë.

Por përtej krimit të rëndë, diçka që duket se kalon pa marrë vëmendjen e duhur është trauma që pëson një fëmijë që është dëshmitar i një tmerri të tillë.

Mane u shpreh se kjo është një ndër traumat më të thella për çdo fëmijë dhe ndikon në një mënyrë shumë-dimensionale.

“Ka një ndikim në sferën emocionale, psikologjike, gjithashtu edhe në ndërveprimin e lidhjeve sociale, në marrëdhëniet që krijon fëmija me të tjerët tani e tutje dhe në të ardhmen, nëse nuk tregohemi të kujdesshëm për ta trajtuar në familje, pasi trauma ka prekur të gjithë familjen", u shpreh psikologia Graciela Mane.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME PSIKOLOGEN GRACIELA MANE