Pedagoget Rushiti dhe Çepani: Një udhëtim pas në kohë për të kuptuar arsimin e komunizmit
Pedagoget Rozana Rushiti dhe Anila Çepani, njëherësh 2 nga 5 autoret e studimit “Ideologjia në tekstet shkollore të gjuhës dhe të letërsisë (1978–1985)”, ishin të ftuara në emisionin “Epiqendër” të gazetares Sonila Musai, ku folën për mënyrën se si librat e gjuhës dhe leximit gjatë periudhës komuniste u përdorën jo vetëm për qëllime arsimore, por edhe për të përçuar ideologjinë politike të kohës.
Gjatë bisedës, Rushiti dhe Çepani ndanë përvojën e tyre kërkimore dhe reflektuan mbi proçesin e analizimit të teksteve shkollore të asaj periudhe.
“Ishte një përvojë e veçantë të ktheheshim pas në kohë dhe të shohim si përmes librave të shkollës përcillej një frymë politike dhe ideologjike e cila formësonte mendimin e brezave të rinj,” thanë pedagoget.
Studimi i tyre hedh dritë mbi ndërthurjen e arsimit me propagandën, duke treguar se tekstet shkollore të gjuhës dhe letërsisë në vitet 1978–1985 ishin pjesë e një projekti të gjerë ideologjik që synonte edukimin e nxënësve në frymën e sistemit të kohës.
