Rushiti: Tekstet e gjuhës gjatë komunizmit përçonin ideologjinë e partisë

Pedagogia dhe Rozana Rushiti, autore e studimit “Ideologjia në tekstet shkollore të gjuhës dhe të letërsisë (1978–1985)”, ishte e ftuar në emisionin “Epiqendër” të gazetares Sonila Musai, ku foli për mënyrën se si librat shkollorë të periudhës komuniste u përdorën si mjete për përhapjen e ideologjisë politike të kohës.

Në fjalën  e saj, Rushiti theksoi se gjatë analizës së teksteve të gjuhës dhe leximit të viteve 1978–1985, studiuesit kanë vënë re një ndërthurje të fortë mes mësimdhënies dhe propagandës ideologjike.

“Ajo që na befasoi ishte se në tekstet e gjuhës nuk gjeje vetëm shembuj gjuhësorë, por edhe elemente që vinin drejtpërdrejt nga kongreset e Partisë.

Kjo nuk vinte nga autorët, sepse ata ishin të detyruar të zbatonin një program të caktuar,” u shpreh Rushiti.

Studimi hedh dritë mbi mënyrën se si arsimi në periudhën komuniste nuk kishte vetëm funksion edukativ, por shërbente edhe si instrument i formimit ideologjik dhe politik të brezave të rinj.