Ligji i Barazizë Gjinore, Shehu: Në rrezik familja e një burri dhe gruaje…
Deputeti i PD-së, Tritan Shehu ka reaguar ashpër në lidhje me amendamentet e ligjit të propozuar nga PS për “Ligjin e Barazisë Gjinore”.
Gjithashtu Shehu thekson se ‘ky projektligj është një armë e rrezikshme kundër asaj që është në themel dhe më e shenjtë e shoqërisë: familjes, fëmijëve, jetës e ekzistencës sonë’.
Postimi i plotë:
Mashtrimi i mazhorancës me amendamentet për “Ligjin e Barazisë Gjinore”, në rrezik Familja prej një burri e një gruaje, edukimi i fëmijëve…
Ky projektligj ngel përsëri një mohues i parimeve të jetës e biologjisë…
Një atentat i maskuar, që kërkon të shkatërrojë ekzistencën e vetëm dy gjinive:
Mashkull e Femër, të përcaktuara që në lindje, siç kemi propozuar ne.
Përcaktim ky që u implementua në SHBA nga Presidenti Trump, dhe që po sanksionohet qartësisht edhe në ato pak vende ku ishte evaziv.
Ndërsa në projektligjin e Rilindjes:
Neni 4 pika “f” është: “Gjini nënkupton rolet e ndërtuara në kontekstin social, sjelljet, aktivitetet dhe atributet që një shoqëri e caktuar i konsideron të përshtatshme për gratë e burrat”.
Pra, kalohet nga konteksti biologjik, që duhet të jetë përcaktues, në kontekstin “social”, të të sjellurit, subjektivizmin e shoqërisë, etj., elemente fluide, ëoke, si përcaktues.
Që nga ky përcaktim, krejt në kundërshtim me natyrën, vlerat, realitetin, traditën, hidhet në erë gjithçka që është thelb i shoqërisë e jetës vetë.
Pikat e tjera të këtij neni, si ato “c”, “l” për përkatësinë e shumëfishtë, “n” për stereotipet gjinore, etj., veçse thellojnë shkatërrimin e atyre koncepteve bazë të shoqërisë, jetës e familjes sonë.
Ndërsa në nenin 3 pika 3, sanksionohen metodat shtypëse, censuruese, për këdo që mbron parimet universale të shoqërisë sonë.
Të gjitha këto e bëjnë këtë projektligj një armë të rrezikshme kundër asaj që është në themel dhe më e shenjtë e shoqërisë: familjes, fëmijëve, jetës e ekzistencës sonë.

