Arben Malaj: Fatos Nano, lider shumëdimensional! Model për brezat e rinj të politikës. Ja dy momentet kyçe që ai hyri në historinë e vendit
Një lider shumëdimensional e ka cilësuar ish-ministri Arben Malaj ish-kryesocialistin dhe ish-kryeministrin Fatos Nano që u nda nga jeta një ditë më parë
Në një intervistë dhënë këtë të shtunë për “Ora News”, ish-ministri i Financave në qeverinë “Nano” vlerësoi kontributin e Nanon në modernizimin dhe strukturimin e PS-së, që sipas tij ishte dhe sfida më e madhe pas viteve ’90.
“Më lejoni fillimisht që t’i shpreh ngushëllimet, familjes, kolegëve, socialistëve dhe sigurisht që Nano është shumëdimensional për t’i bërë një vlerësim kritik kontributeve të tij pozitive, duke filluar me sfidën më të madhe që ishte në në ato vitet e para të pluralizmit shqiptar, ishte riorganizimi, orientimi dhe anëtarësimi i ish-Partisë së Punës në një parti social-demokrate të majtë evropiane, e cila do të ishte një faktor thelbësor në tranzicionin shqiptar.
Trashëgimia më e madhe që do të lërë Nano pas është pikërisht modernizimi i Partisë Socialiste, duke krijuar modelin e një force politike e cila kishte demokraci të brendshme.
Vitet do të kalojnë, Fatos Nano do të ketë referencat e tij në tranzicionin shqiptar, por referenca më e madhe dhe më pozitive që do të përdoret në zhvillimet politike edhe në dekadat e ardhshme do të jetë modeli i një partie politike me demokraci të brendshme.
Së dyti, Nano duke qenë një njeri i ditur dhe me një shpirt liberal, e në thelb demokrat, krijoi një paqe sociale në Shqipëri pas vitit 1997. Ky do të jetë kontributi i dytë që Nano ka dhënë për politikën shqiptare.
Dhe rasti i parë i kësaj paqeje sociale, ishte viti 1997 kur ai erdhi në pushtet, ai nuk e përdori këtë për hakmarrje të tij personale, por ishte i angazhuar për të ulur tensionet politike, sepse vendi ishte në prag të një kolapsi ekonomik, por edhe me tensione sociale të mëdha të cilat nëse nuk menaxhoheshin me një maturi të lartë apo vështrim pozitiv për ta zbutur deri në shuarje të konflikteve sociale të asaj kohe”, u shpreh ndër të tjera Arben Malaj.
Po ashtu Arben Malaj foli edhe për Fatos Nanon jashtë kamerave, atë njeriun në përditshmërinë e tij.
“I pëlqente batutat, i pëlqente të provokonte, por asnjëherë nuk i pëlqente të krijonte armiq. Nëse diçka bëhej e vështirë, ishte ai që ta lehtësonte duke të të marrë në telefon, duke u takuar drejtpërdrejtë.
Pra kishte diçka si për shembull me mediat që mund të përmirësohej, mund të menaxhohej më mirë, sidomos siç ishte rasti i përplasjes në Parlament me Nikoll Lesin.
Domethënë në raste të caktuara ai prekej shumë nga akuzat publike dhe kur ato bëheshin të rënda, kërkonte që me çdo mënyrë të gjente një zgjidhje qoftë edhe duke u përballur ligjërisht me abuzuesit me lirinë e fjalës”, u shpreh ndër të tjera ish-ministri i Financave në qeverinë “Nano”, Arben Malaj.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME ISH-MINISTRIN E FINANCAVE ARBEN MALAJ

