Libia dëbon organizatën “Mjekët Pa Kufij “afati deri më 9 nëntor

Autoritetet libiane kanë urdhëruar organizatën humanitare”Mjekët Pa Kufij “(MSF) të largohet nga vendi deri më 9 nëntor, bëri të ditur sot vetë organizata. “Nuk është dhënë asnjë arsye për të justifikuar dëbimin tonë dhe procesi mbetet i paqartë”, tha MSF në një deklaratë.

Më herët këtë vit, autoritetet në Tripoli mbyllën zyrat qendrore të disa organizatave ndërkombëtare jofitimprurëse, përfshirë edhe MSF, duke i akuzuar ato për “veprime që kërcënojnë sigurinë e shtetit”.

Në deklaratën e saj, MSF tha se ishte udhëzuar që në mars të pezullojnte aktivitetet, pasi zyrat e saj u mbyllën dhe disa punonjësit u morën në pyetje.

“Ne shprehim thellësisht keqardhjen për këtë vendim të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe jemi të shqetësuar për pasojat që mund të ketë në shëndetin e njerëzve që ne ndihmojmë”, tha Steve Purbrick, drejtues i programeve të MSF në Libi.

Ai shtoi se MSF mund të luajë një rol të rëndësishëm në mbështetjen e sistemit shëndetësor libian, si dhe në ofrimin e kujdesit shëndetësor për refugjatët dhe migrantët “të përjashtuar nga shërbimet dhe të ekspozuar ndaj ndalimeve arbitrare e dhunës së rëndë në vend.”

Libia është një nga vendet kryesore tranzite për migrantët që kërkojnë të arrijnë në Evropë. Vendi është i ndarë mes dy administratave rivale në lindje dhe perëndim dhe ka rënë në kaos që pas përmbysjes së Moamer Gadafit në vitin 2011.