DËBOHET EMIGRANTI PROBLEMATIK/ Kaloi mbi 24 orë në rrugët e Londrës nga një gabim në lirimin e tij

Një emigrant etiopian, i dënuar për sulme seksuale ndaj dy grave, u deportua nga Britania e Madhe pasi u la gabimisht i lirë nga burgu.

Rasti shkaktoi reagime të forta politike dhe çoi në vendosjen e kontrolleve më të rrepta në sistemin e burgjeve.

Një emigrant i dënuar për krime seksuale i cili kaloi disa orë i lirë pasi e nxorrën gabimisht nga burgu në Mbretërinë e Bashkuar është deportuar në vendin e tij në Etiopi, pa të drejtë rikthimi.

Hadush Kebatu ishte në qeli pas 2 sulmeve seksuale, një ndaj vajze 14-vjeçare dhe një tjetër ndaj gruaje në qytetin Epping në kohën qëndronte në një hotel azilantësh.

Të premten, në vend që të transferohej në një qendër paraburgimi për deportim ai u la i lirë dhe u identifikua nga një qytetar në rrugët e Londrës.

Ngjarja ngriti pikëpyetje të mëdha mbi pasigurinë e sistemit, dhe çoi në reagimin e menjëhershëm të Kryeministrit Keir Starmer, i cili kërkoi largimin e menjëhershëm të Kebatu nga vendi.

Autoritetet britanike deklaruan se rasti do të shërbejë si shembull për forcimin e masave të sigurisë dhe parandalimin e lirimeve të ngjashme në të ardhmen.

Zyrtarët e cilësuan rastin një gabim të pafalshëm ndërsa një hetim është hapur për të zbuluar se si ndodhi incidenti. Kontrolle të reja më të rrepta janë vendosur për çdo dalje nga burgu.