KOREJA E JUGUT MES “DY ZJARREVE”/ Seuli përfshihet nga protestat për vizitat e Trump dhe Xi Jinping

Në Seul kanë shpërthyer protesta dhe kundërprotesta në prag të vizitave të Donald Trump dhe Xi Jinping, që do të zhvillojnë takime të ndara me presidentin korean Lee Jae-myung. Manifestuesit ndahen mes atyre që kundërshtojnë politikat amerikane dhe atyre që kërkojnë kufizimin e ndikimit kinez. Vizitat paralajmërojnë një javë të ngarkuar për diplomacinë koreane, që përpiqet të ruajë ekuilibrin mes SHBA-së dhe Kinës.

Në prag të një jave të ngarkuar për diplomacinë koreane, pasi presidenti Lee Jae-myung pritet të presë Donald Trump dhe Xi Jinping për takime të ndara në kuadër të samitit të bashkëpunimit ekonomik aziatik, Seuli është përfshirë nga protesta dhe kundërprotesta.

Grupi i parë i manifestuesve, me pankarta “Jo Trump”, kundërshtoi politikat tregtare të administratës amerikane, të cilat, sipas tyre, po dëmtojnë ekonominë koreane.

Vetëm disa qindra metra më tej, një tjetër grup mbanin pankarta “Jo Kinës” dhe “Largoni Partinë Popullore Kineze”, duke kërkuar që qeveria të kufizojë ndikimin e Pekinit në vend.

Të dy grupet u mblodhën përpara ambasadës amerikane dhe në afërsi të pallatit mbretëror Gyeongbokgung.

Policia vendosi një linjë autobusësh për të ndaluar marshimin drejt ambasadës, ndërsa organizatorët përdorën altoparlantë për të përcjellë mesazhet kundër vizitës së liderëve të huaj.

Edhe pse jo të mëdha në numër, protestat pasqyrojnë tensionet e brendshme politike dhe përplasjet që shoqërojnë politikat e presidentit Lee Jae-myung në prag të samitit trepalësh SHBA–Kinë–Kore e Jugut.

Vizitat e njëkohshme të dy liderëve më të fuqishëm në botë e kthejnë Seulin në qendër të diplomacisë ndërkombëtare.

Ndërsa protestat reflektojnë ndasitë politike e shoqërore brenda vendit, qeveria koreane përpiqet të tregojë se mbetet një partnere e besueshme për të dyja superfuqitë.

Të enjten, dy liderët do të takohen në Seul për të diskutuar mbi marrëdhëniet tregtare dhe çështjet e sigurisë rajonale, përfshirë tensionet me Korenë e Veriut.

Analistët e shohin këtë vizitë si një test të rëndësishëm për politikën e jashtme të presidentit Lee, i cili kërkon të ruajë ekuilibrin midis aleancës historike me SHBA-në dhe varësisë ekonomike nga Kina.

Vizita e Xi Jinping, e para pas 11 vitesh, pritet të zgjasë tre ditë dhe do të zhvillohet në qytetin historik Gyeongju, ndërsa Donald Trump do të qëndrojë në Seul vetëm 24 orë.

Takimet pritet të fokusohen në tregtinë dypalëshe, investimet dhe bashkëpunimin rajonal, megjithatë – sipas analistëve – gjasat për një marrëveshje të re tregtare mbeten të ulëta.