Nxehtësia vr*t një person në minutë”/ Raporti global: Kriza klimatike po shkatërron miliona jetë çdo vit

Rritja e temperaturave ekstreme po vret një person çdo një minutë në botë, sipas raportit më të madh të deritanishëm për ndikimin e ndryshimeve klimatike në shëndetin global. Studimi paralajmëron se miliona jetë humbin çdo vit për shkak të dështimit për të ndaluar varësinë ndaj karburanteve fosile. Ekspertët thonë se një e ardhme e shëndetshme është e pamundur nëse qeveritë vazhdojnë të financojnë ndotjen me ritmet aktuale

Një raport i fundit mbi ndikimin e ngrohjes globale në shëndetin e njerëzve tregon se i nxehti ekstrem tashmë po shkakton vdekjen e një personi çdo minutë.

Raporti lidh varësinë nga karburantet fosile me ndotjen e ajrit, përhapjen e sëmundjeve dhe shfaqjen e zjarreve masive në pyje, duke rezultuar në miliona vdekje çdo vit.

Raporti tregon se shkalla e vdekjeve të lidhura me nxehtësinë është rritur me 23 për qind që nga vitet 1990, duke arritur në një mesatare prej mbi 546 mijë vdekje në vit.

Kjo përkthehet në një jetë të humbur çdo minutë që kalon.

Shkencëtarët fajësojnë varësinë e vazhdueshme ndaj lëndëve djegëse fosile, që përveç ngrohjes globale, shkaktojnë ndotje të ajrit dhe miliona vdekje shtesë nga sëmundjet e frymëmarrjes.

Në vitin 2023, qeveritë në mbarë botën dhanë mbi 950 miliardë dollarë subvencione për karburantet fosile ndërkohë që vendet më të varfra humbën të ardhura të mëdha për shkak të temperaturave të larta që ndaluan punën në bujqësi dhe ndërtim.

Viti 2024 shënoi një rekord tragjik me 154 mijë vdekje nga tymi i zjarreve në pyje dhe humbjen e 639 miliardë orëve të punës për shkak të nxehtësisë ekstreme.

Sipas raportit, 123 milionë njerëz u përballën me mungesë ushqimi, pasi thatësirat dhe valët e të nxehtit shkatërruan të korrat dhe bagëtinë.

Doktoreshë Marina Romanello, udhëheqëse e analizës, thotë se “shkatërrimi i jetëve dhe mjeteve të jetesës do të vazhdojë derisa të heqim dorë nga karburantet fosile.”

Ajo paralajmëron se zgjidhjet ekzistojnë  energjia e pastër, qytetet e përshtatura dhe dietat e shëndetshme por koha për veprim po mbaron.

Ekspertët thonë se shpresa mbetet te veprimi i komuniteteve dhe sektorit të shëndetësisë, të cilët tashmë po ndërmarrin hapa konkretë për t’u përshtatur.

Ndërsa planeti nxehet gjithnjë e më shumë, raporti i “Lancet Countdown” është një thirrje urgjente: pa ndryshime të menjëhershme, kostoja njerëzore e krizës klimatike do të vazhdojë të rritet çdo minutë.