Vrasja e Ardian Nikulajt/ Ruben Saraiva del para gjykatës, dëshmojnë familjaret e Edmond Haxhisë: S’e dimë ku ndodhet

Ruben Saraiva, i dyshuar si ekzekutori i biznesmenit Ardian Nikulaj, ka dalë sot në Gjykatën e Lezhës.

Në sallën e gjyqit, prej muaj janë thirrur për të dëshmuar të afërm të të dyja palëve, ndërsa në seancën e sotme ka dëshmuar nëna e Edmond Haxhisë dhe e afërmja e Nertila Haxhisë.

Të dyja dëshmitaret kanë deklaruar se Edmond Haxhia kishte ardhur në Shqipëri për tu martuar, si dhe për të plotësuar dokumentacionin për udhëtimin drejt Anglisë, ku ndodhej bashkëshortja e tij. Gjithashtu nëna e Edmondit ka pohuar se nuk ka dijeni për vendndodhjen e djalit të saj.

Gjatë dëshmisë ajo është shfaqur e rënduar emocionalisht dhe në disa momente ka kërkuar mbështetje nga avokati Cakrani.

Po ashtu prokurori, në përfundim të seancës kërkoi thirrjen e një dëshmitari të ri, ndërsa avokati i mbrojtjes, Cakrani, rikërkoi paraqitjen në gjykatë të ish-bashkëshortes së Edmond Haxhisë. Sakaq, seanca e radhës është caktuar për në 17 nëntor.

SI NDODHI VRASJA?

Ardian Nikulaj u ekzekutua mesditën e 19 prillit kur sapo kishte hyrë dhe ulur në një tavolinë në lokalin në pronësi të tij në vijën e parë të plazhit të Shëngjinit.

Autori, siç u pa nga pamjet, mbante një maskë kirurgjikale, skafandër dhe jelek fosforeshent.

Ai futet në lokal, qëllon me armë Nikulajn dhe pasi kryen vrasjen me pistoletë në një distancë shumë të afërt largohet qetësisht me motor nga vendngjarja.

Nikulaj ishte biznesmen në Lezhë, ish-kandidat për deputet në zgjedhjet e 2021-shit dhe kandidat për Këshill Bashkiak në zgjedhjet e 14 majit.

Viktima rezulton i arrestuar më herët për armëmbajtje pa leje dhe kontrabandë e falsifikim, ndërkohë që pista ku po hetohet është ajo e gjakmarrjes.

Kjo pasi Nikulajt i është vrarë një vëlla nga pjesëtarë të fisit Balaj.

Kjo ngjarje është pasuar në dy të vrarë nga familja Balaj dhe për asnjërën nga ngjarjet nuk ka pasur të arrestuar. Nuk përjashtohen konfliktet për bizneset apo politikën.

Deri më tani raportohet se autoritetet kanë rënë në gjurmë të dy automjeteve që mund të jenë përdorur nga autorët për tu larguar nga vendngjarja, pas ikjes me motor.