I akuzuar nga GJKKO si pjesë e një grupi kriminal, arrestohet në Britani 30 vjeçari shqiptar, pritet ekstradimi

Një 30-vjeçar i identifikuar me emrin Xhuljano Hoxha është arrestuar në Mbretërinë e Bashkuar pasi akuzohet si pjesë e grupit kriminal që kultivoi 870 kg kanabis në Drenovicë të Beratit në vitin 2022. Ministria e Drejtësisë ka nisur procedurat dhe pritet që të ekstradohet në Shqipëri, pasi ndaj tij GJKKO caktoi më 22 prill arrest në burg për kultivim droge dhe grup të strukturuar kriminal

Xhuljano Hoxha një 30 vjecar i arrestuar në Londër pritet të kthehet në Shqipëri për t’u përballur me drejtësinë pasi rezulton se ka qenë pjese e grupit kriminal që kultivoi 870 kg kanabis në Berat.

Ai fillimisht u shpall në kërkim në vitin 2022 kohë kur u zbuluan edhe serat por gjatë kontrolleve ai nuk u kap nga policia pasi rezultoi të ishte jashtë shtetit.

Hetuesit thonë se serat me drogë u gjetën në fshatin Drenovic me 10 nëntor 2022. Gjatë kontrolleve u zbuluan 105 persona, ku 95 ndër to ishin gra të cilat ishin punësuar për të pastruar lëndën narkotike.

11 persona u vunë në pranga, ndërsa nën hetim u vunë gjithë drejtoria e policisë Berat mes tyre edhe drejtues të lartë. Nga hetimi rezultoi se policët nuk kishin marra masa dhe nuk kishin kryer ndërhyrje në zonë.

Për këtë arsye ish Drejtori i Përgjithshëm i Policisë në atë kohë, Muhamet Rrumbullaku përjashtoi përjetësisht nga Policia e Shtetit 7 punonjës policie, të rangut të lartë drejtues.

Kjo dosje u nis nga prokurori e Beratit dhe me pas përfundoi në SPAK. Më 12 shtator kjo dosje kaloi për gjykim ku në hetim u morën 17 personave të përfshirë në kultivimin.

95 gratë që ishin nga Fushë-Kruja dhe Lezha sipas hetimeve ishin mashtruar nga grupi kriminal se do të vilnin ullinj. Por kur panë se kishin të bënin me pastrimin e lëndës narkotike, u kërcënuan se do t'u vrisnin familjarët.