Arrestimi i avokatit Bajrami/ Prokurori Çela: Është e papranueshme, rasti nuk duhet të ndodhte
Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela ka deklaruar se ngjarja në Elbasan ku u arrestua avokati Ulian Bajrami është e papranueshme.
Gjatë raportimit në Kuvend, Çela tha se masa e arrestit me burg e kërkuar nga prokurori ishte ekstreme dhe e pajustifikueshme.
Ndërkohë që theksoi se masa e arrestit duhet të jetë masa e fundit ekstreme që duhet të merret.
“Përgjigjen e kësaj pyetjeje do ta lidh me atë që e përmenda në Komisionin e Ligjeve.
Kemi sot probleme me realizimin e funksioneve nga prokurorët, sidomos atyre të rinj.
Është e papranueshme që nga salla e gjyqit të kalojmë në ndalim.
Ne i kemi kërkuar prokurorëve që masa e arrestit të jetë masa e fundit ekstreme, në çdo rast vlerësimi duhet të bëhet shumë i kujdesshëm sesi do i aplikojmë veprat penale.
Rasti në fjalë nuk duhej të ndodhte dhe pse mund të ketë hapësirë. Masa e arrestit në burg është ekstreme dhe e pajustifikueshme”, tha Çela.
