Vr*sja e gjyqtarit, nga vendi i krimit Gjon Shkambi mbetet në burg

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka lënë në fuqi masat e sigurisë “arrest në burg” për 3 personat e përfshirë në vrasjen e gjyqtarit Astir Kalaja më 6 tetor në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë, ku gjithashtu u plagosën dy shtetas të tjerë.

Ngjarja ndodhi gjatë një seance gjyqësore, ku shtetasi Elvis Shkambi palë në proces, qëlloi me armë zjarri drejt gjyqtarit Astrit Kalaja dhe shtetasve Ragip Kurtaj dhe Ervis Kurtaj, atë e bir, që ndodheshin në sallë si pala tjetër në çështje. Prokuroria kishte kërkuar vlerësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për Elvis Shkambin, i dyshuar për “vrasje të funksionarëve publikë”, “vrasje në rrethana cilësuese”, “mbajtje pa leje të armëve”, për Gjon Shkambin i dyshuar për “vrasje në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë; si dhe për Banush Koxhaj, i dyshuar për “shpërdorim detyre”.

Gjykata e Shkallës së Parë kishte pranuar kërkesën e Prokurorisë dhe kishte vendosur masën e “arrestit në burg” për të tre të dyshuarit. Ndaj këtij vendimi bënë ankim Gjon Shkambi dhe Banush Koxhaj, të cilët kërkuan një masë sigurie më të butë.

Pas shqyrtimit të çështjes, Gjykata e Apelit, me trup gjykues të kryesuar nga gjyqtari Genti Shala, vendosi të rrëzojë ankimet dhe të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke miratuar masat e sigurisë “arrest në burg” për të tre personat nën hetim.

NGJARJA

Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 6 tetorit pasi gjyqtari Kalaja dha vendim kundër familjes Shkambi. Në këtë moment, 30-vjeçari ka nxjerrë armën të cilën kishte arritur ta fuste pa problem brenda ambienteve të gjykatës dhe ka qëlluar ndaj gjyqtarit, si dhe ndaj palës kundërshtare, babë e bir, Ragip dhe Ervis Kurtaj, të cilët mbetën të plagosur.

Prokuroria e akuzon Gjon Shkambin se kishte dijeni vetëm planin e nipit të tij ndaj palës kundërshtare në gjyq dhe se kishte rolin e nxitësit në tentativën për të vrarë babë e bir për mosmarrëveshjet për pronën.

Punonjësi i sigurisë së gjykatës akuzohet për shpërdorim detyre pasi nuk lëvizi nga vendi edhe pse detektori sinjalizoi praninë e armës kur Gjon dhe Elvis Shkambi hynë brenda gjykatës.