Katër shqiptarë shkëlqejnë në Zvicër, Shaqiri, Hajrizi, Imeri dhe Nivokazi në formacionin e javës
Ka përfunduar xhiroja e nëntë e Superligës zvicerane, e cila solli disa rezultate të papritura, por edhe një tjetër dominim nga futbollistët shqiptarë.
Katër prej tyre janë përfshirë në formacionin ideal të javës, falë paraqitjeve mbresëlënëse me skuadrat e tyre.
Në qendër të mbrojtjes, Kreshnik Hajrizi i Sionit spikati me një lojë të shkëlqyer në fitoren 0-1 ndaj Grasshoppers.
Me notën 7.6 nga SofaScore, mbrojtësi dardan u shpall një nga më të mirët në fushë.
Në mesfushë, Kastriot Imeri i Thunit shënoi një gol të bukur në triumfin 3-1 ndaj Servettes, duke konfirmuar edhe një herë formën e lartë që po kalon këtë sezon.
Ndërkohë, Xherdan Shaqiri nuk mungon as këtë herë në listën e më të mirëve.
‘Ylli’ i Baselit ishte protagonist absolut në fitoren 3-0 kundër Winterthurit, ku realizoi një gol dhe dha një asist.
Me notën fantastike 8.9, Shaqiri u shpall lojtari më i mirë i javës në Superligën zvicerane.
Në vijën e sulmit, Rilind Nivokazi i Sionit ishte një rrezik i vazhdueshëm për mbrojtjen e Grasshoppers, edhe pse nuk arriti të shënojnte.
Me lëvizjet e tij dhe presionin konstant, ai luajti një rol kyç në fitoren e ekipit të tij.
Kështu, katër futbollistë shqiptarë kanë qenë këtë javë ndër më të mirët në elitën e futbollit zviceran, duke konfirmuar gjithnjë e më shumë praninë dhe ndikimin e tyre në kampionatin helvetik.

